Shqipëria po mbjell më shumë kanabis

Policia e shtetit ka hyrë në fazën më kulminante sa i takon luftës kundër kultivimit të kanabisit. Sipas raportimeve të vetë uniformave blu, por edhe referimeve në prokurori, trendi duket në rritje ndërsa në disa zona, bima narkotike mbin edhe vetë.

E parashikoi Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave, në bashkëpunim me Europol dhe mesa duket po konfirmohet edhe në terren.

Në Shqipëri ka një tendencë në rritje të kultivimit të kanabisit, raportuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Europol rendiste si shkak përqendrimin e agjencive ligjzbatuese në ruajtjen e masave kufizuese kundër përhapjes së COVID-19, por edhe mungesën e hashashit në tregjet europiane. Kjo e fundit është një arsye më bindëse për trafikantët të joshur edhe nga çmimi në rritje gjatë viteve të fundit. Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije për Euronews Albania se nga kontrollet e ushtruara që prej muajit maj dhe deri në mes të korrikut janë konstatuar më shumë se 500 vende kultivimi.

Edhe burime nga prokuroria bëjnë me dije se numri i referimeve për këtë vepër penale është rritur ndërsa të arrestuar e proceduar numërohen 120 persona, mes tyre edhe kryepleq fshatrash. Por krahas zonave të thepisura e malore policia po përballet edhe këtë vit me një problem të hershëm.

Në disa zona bima e kanabisit mbin edhe vetë, për shkak të kultivimit të mëparshëm e për rrjedhojë nuk ka autorë. Edhe për vitin 2019 prokurori përgjithshëm Olsian Çela tha se kultivimi i kanabisit është dyfishuar, ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu, tha se kjo ka ardhur për shkak të një angazhimi më të madh të uniformave blu.

Tags: