Shqiptarët në lagjen e Boshnjakëve të shqetësuar për sigurinë: Sulmohemi nga banorët serbë, na ofendojnë dhe na gjuajnë me gurë

Sa herë që në Mitrovicën e Veriut zhvillohet ndonjë aksion i Policisë së Kosovës, banorë shqiptarë që jetojnë e punojnë në atë pjesë ndihen të shqetësuar për sigurinë e tyre. Përveç që fyhen, shahen e sulmohen nga banorët serbë atje, në ditë sikur sot që u zhvillua aksioni kundër kontrabandës ata detyrohen të largohen edhe nga zyrat ku punojnë.

Një situatë e tillë i ndodhi edhe sot, një menaxheri që punon në një agjenci marketingu që me zyre ndodhet në lagjen e Boshnjakëve.

Ai ka telefonuar në redaksinë e Gazetës Insajderin, (i cili për shkak të sigurisë ka dashur të mbes anonim) dhe ka treguar se zyrat e tyre sot janë dëmtuar nga banorët serbë dhe që ai së bashku me kolegët e tij është dashur ta lirojnë zyrën.

Thotë se sulmet nga banorët lokalë janë të vazhdueshme. Madje përmend një rast kur edhe janë gjuajtur me gurë e me shalqi nga banesat e tyre.

“Jam menaxher në një kompani të marketingut aty afër vendit ku ka ndodhur ngjarja. Në momentin kur ka fillu aksioni kam qenë në punë dhe si zakonisht, po them si zakonisht dëgjojmë të shtëna në veri – jo vetëm në raste kur ndërhyn policia por ka raste edhe tjera kur s`ka ndërhyrje të policisë, por që gjuhet me armë zjarri, janë bërë të zakonshme për ne”, tha ai.

Në videon që i njëjti i ka dërguar Insajderit dëgjohen të shtëna me armë zjarri. Është momenti kur pretendohet se banorët e kësaj anë gjuajtën në drejtim të Policisë së Kosovës dhe të njëjtit iu kthyen njësoj.

“Policët e Kosovës përveç me guri me gaz lotsjellës janë gju edhe me armë zjarri e granat dore”, shpjegon njëjti.

“Ne këtë shqetësim e kemi qe shumë kohë – qaq sa neve ma nuk e shohim as të arsyeshme me lajmëru policinë apo këdo tjetër. Ka raste tjera p.sh në momentin që ne e përfundojmë orarin e punës. Ne jemi rreth 30 persona të punësuar, punën e fillojmë në ora 07:00 dhe dalim në 21:30 pas orës policore, nuk ka shanca me kalu java që me kalu një person vetëm ose grup që nuk sulmohen, ose shahen e ofendohen prej banorëve atje. E kjo ndodh sepse shumica e punëtorëve jetojnë në pjesën jugore, për me kalu pjesën veriore”, ka deklaruar ai.

“Ka pasur raste që edhe jemi gju me gurë prej banesave, me shalqi teksa na nuk provokojmë ose dicka tjetër”, tha ai.

Mes tjerash, banori i Mitrovicës sqaron se ka dy vite që punon në kompaninë e marketingut dhe familjarët e tij janë vazhdimish të shqetësuar për mirëqenien e tij. Sqaron se vazhdimisht po neglizhohen nga policia.

“Personalisht ka dy vjet që punojë në këtë kompani dhe këto raste mu kanë bë shumë normale e që s`janë, sepse rrethi im, familja ime shoqëria ime janë të shqetësuar për sigurinë time. Në momentin që ne e raportojmë rastin në Polici, mbetet vetëm ne hetim për vitet të tëra dhe s’na kthehet asnjë përgjigje”, është shprehur i shqetësuar ai.

I njëjti në bisedë për Insajderin theksoj se sot nga zyrat e tyre ai së bashku me kolegët janë përcjell nën praninë e Policisë së Kosovës. Madje potencon se policia ka kërkuar nga ta të mos shfrytëzojnë rrugën kryesore për shkak të sigurisë.

“Në momentin që ne kemi dalë jashtë zyrës, është dëmtu zyra pjesa materiale por edhe aspektin tjetër, ne është dashtë edhe me ndërpre punën për arsye të sigurisë. Kur kemi dal jashtë lokalit ku i kemi zyrat policia na ka udhëzu me u largu komplet prej rrugës kryesore, mundësisht me i ndjek qysh sepse kishim mujt me qenë në shënjestër”, përfundoi bisedën i shqetësuar duke kërkuar që siguria e banorëve të kësaj ane të merret më seriozisht nga organet e sigurisë në vend.

Rruga kryesore në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës ka qëndruar e bllokuar për një kohë të gjatë në ditën e sotme. Qytetarët në veri nuk kanë mundur të kalojnë në lagjen ku ndodhi aksioni i Policisë së Kosovës.

Në redaksinë e Gazetës Insajderi, një banore tjetër nga Mitrovica tha se ajo është ndaluar nga Njësia Speciale te ura në Mitrovicë derisa po tentonte të kalonte rrugën për të shkuar në punë.

“Gjendja duket e tensionuar. Ka policë kudo. Nuk po lejojnë me kalu rrugën. Alarmi është ende i ndezur”, tha ajo.

Theksojmë se nga aksioni në veri të vendit të lënduar kanë mbetur katër policë, të cilët po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Të njëjtit janë jashtë rrezikut për jetë./Insajderi.org