Shtëpia e Kadaresë në Tiranë kthehet në muze, hapet për publikun

Shtëpia e shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare, që gjendet në Tiranë e kthyer në muze është hapur për publikun. Në këtë mënyrë, adhuruesit e veprave të shkrimtarit të shquar shqiptar me renome ndërkombëtare, por edhe vizitorë vendorë e turistë të huaj në Tiranë do të kenë mundësi të vizitojnë shtëpinë e shkrimtarit ku shkroi disa prej veprave të tij të më të njohura.  

Lajmi është bërë i ditur të shtunën nga kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj. “Ne duam që ky muze të jetë patjetër një në dhjetë gjërat që shihet në Tiranë, pas Bunkerit, Shtëpisë me gjethe, sheshit, institucionet tona të kultit, Muzeu Kombëtar, Opera e Baletit”, ka theksuar ai. Ky projekt i Bashkisë së Tiranës udhëhiqet nga arkitektja Elizabeta Terragni.

Mediat e Shqipërisë kanë raportuar se personalitete të shquara politike e kulturore morën pjesë në hapjen e apartamentit të Kadaresë që pasqyron jetën e shkrimtarit të njohur gjatë periudhës komuniste.

Brenda apartamentit, ekspozimi ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave dhe mobilieve, si dhe hapësira ku mund të marrësh njohuri për veprën e shkrimtarit, në formën e një këndi leximi.