Shteti e la pa mbrojtje personale ish-kryeministrin Hoti

Avdullah Hoti është lënë pa mbrojtje personale nga shteti që nga dita e parë e kryerjes së mandatit si kryeministër më 22 mars të këtij viti. Situata e tij e sigurisë nuk është vlerësuar e rrezikshme. 

Mandati i Avdullah Hotit si kryeministër i Kosovës përfundoi më 22 mars të këtij viti. Por, vendimet që ai nënshkroi për nëntë muaj si shef qeverie, nuk u anuluan atë ditë. Puna e Hotit si kryeministër jeton edhe pas përfundimit të mandatit të tij. Mund të ketë prekur shumë interesa.

Megjithatë, situata e tij e sigurisë nuk është vlerësuar e rrezikshme nga shteti.

Ditën që ai i dorëzoi detyrën kryeministrit aktual Albin Kurti, shteti hoqi dorë nga mbrojtja personale e kryeministrit në shkuarje ndonëse ai gëzon me Ligj këtë të drejtë.

Gazeta Paparaci, nga burime të afërta me ish-shefin e qeverisë, ka mësuar se mbrojtja e afërt e ish-shefit të qeverisë përfundoi në ditën e kryerjes së mandatit të tij. Hoti u përcoll drejt vendbanimit të tij në Prishtinë nga organet e rendit për herë të fundit më 22 mars, në ditën e transferimit të pushtetit.

Shteti, nuk i ofroi kryeministrit që nënshkroi Marrëveshjen e Paqes Ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, asnjë ditë mbrojtje pas kryerjes së mandatit, raporton Paparaci.

Vlerësimin e situatës së sigurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, gjatë dhe pas mandatit, e bën Njësia për Vlerësimin e Rrezikshmërisë.

Për shtatë muaj pas dorëzimit të detyrës si udhëheqës i qeverisë, Hoti mbeti në këmbë. Pa përcjellje policore, pa mbrojtje të afërt dhe pa shofer.

Për dallim nga Hoti, një paraardhës i tij në krye të ekzekutivit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, gëzon mbrojtje të afërt edhe pas rreth dy vitesh pas dorëzimit të detyrës.

I ofrohet shofer dhe limuzinë

Një muaj më parë, siç është informuar Paparaci nga burime jozyrtare, Avdullah Hotit i është ofruar një shofer personal për një periudhë afat-shkurtër.

“Para rreth një muaji ia kanë dhënë limuzinën dhe një shofer shoqërues”, ka thënë për Paparacin një burim i afërt me ish-kryeministrin Hoti.

Mediumi online Paparaci, tentoi të kontaktonte me ish-shefin e qeverisë të enjten por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike të mediumit. Nuk është përgjigjur as në pyetjet që i janë dërguar në lidhje me situatën e tij të sigurisë.

Mbrojtje apo përcjellje policore nuk i është ofruar as Driton Selmanajt, ish-zëvendësit të Avdullah Hotit.

Selmanaj, në një përgjigje për Paparacin, tha të enjten se nuk ka pranuar përcjellje policore as gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendës-shef qeverie.

“Asgjë [nuk më është ofruar, v.j], as sa kam qenë në detyrë, e as pas mandatit nuk kam pasë përcjellje policore”, tha Selmanaj.

Kryeministrit aktual i shtohet siguria

Policia e Kosovës njoftoi sot se ka shtuar masat e sigurisë personale të kryeministrit Albin Kurti, mbi dyshimet për kërcënimin me jetë të tij.

Policia tha se përpos Njësisë së Mbrojtjes së Afërt, ka shtuar edhe një njësi tjetër në sigurim të shëpisë së banimit të kryeministrit.

Policia njoftoi se lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, “përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.”

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha të mërkurën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar, por nuk ka dha më shumë detaje.

Për këtë arsye, tha zëdhënësi i qeverisë, si masë e kujdesit të shtuar është rritur edhe niveli i tij i sigurisë.

Mediat në Kosovë raportuan të mërkurën në mbrëmje se afër shtëpisë së Kurtit në Prishtinë është vërejtur prani më e shtuar e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se nuk ka mundësi të ofrojë informacione për këtë rast. /Paparaci