Shtyhet paraqitja e Nasim Haradinajt para Speciales

Paraqitja e Nasim Haradinajt në Hagë është shtyrë për datën 18 dhjetor në ora 14:00.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi Dhomat e Specializuara, shkruan Gazeta Express.

Gjykata Speciale dje ka njoftuar se është konfirmuar aktakuza ndaj krerëve të OVL të UÇK-së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Me të konfirmuar aktakuzën, Nasim Haradinaj ishte paraparë që të paraqitet para Speciales sot në orë 15:00. Por, në kalenderin e Dhomave të Specializuara nuk parashihet që sot të mbahet kjo seancë.

“Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Më 25 shtator, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar nga EULEX-i me urdhër të Gjykatës Speciale./Express