Shtyhet seanca e re e Kuvendit, kjo është arsyeja

Megjithëse ishte planifikuar që të nisë seanca e re e Kuvendit të Kosovës në ora 14:00 në mungesë të kuorumit u shty për në ora 14:30.

Të pranishëm në sallë ishin vetëm 34 deputetë.

Ndryshe, Kuvendi sot ka ndërprerë edhe vazhdimin e seancës që nisi në orët e paradites pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk lejuan zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj të jetë në seancë.

Nga LVV kanë thënë se do t’i pengojnë edhe seancat tjera në qoftë se në sallë është i pranishëm Selmanaj.

Ndërkaq, edhe seanca e re e planifikuar për në ora 14:00 u shty për 30 minuta por për mungesë kuorumi.

Rendi i ditës:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen: “Përfshirja dhe ndarja e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-029 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-089 për deminim humanitar,

Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019,

Shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Personale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit  për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor i Komisionit për Ndihmë Shtetërorë për vitin 2019. /Telegrafi/