Shtyhet vendimi për pezullim ose jo të financimit të Lirisë nga Komuna e Prizrenit

Në një seancë të jashtëzakonshme,  Kuvendi i Prizrenit është mbledhur dhe ka debatuar  me një pikë të vetme të rendit të ditës në lidhje me kërkesën për pezullim të financimit të klubit të futbollit ” Liria” dhe formimin e një komisioni prej 5-7 anëtarëve nga ana e Kuvendit, derisa të merret një vendim i ri. Iniciuesi i kësaj seance, Ilir Baldedaj shef i GK të AAK-së, i cili kishte arritur të mbledh nënshkrimet e nevojshme për thirrje të mbajtjes së seancës nga kryesuesi, Artan Abrashi, tha se qëllimi i inicimit të çështjes “ Liria”, janë keqmenaxhimi i mjeteve dhe në tërësi i klubit prizrenas, i cili si pasojë e kësaj ka rënë nga elita e futbollit kosovar, theksoi ai.

Edhe shefi i GK të PDK-së, Simir Krasniqi dhe ai i LDK-së, Haziz Hodaj, potencuan disa gjëra të cilat sipas tyre e kanë rënduar funksionimin e klubit prizrenas i cili në masë të madhe mbështetët nga taksapaguesit prizrenas. Ndryshe, nga të tjerët, ka folur kuvendarja e Nisma-s, Ganimete Hoxha- Babuna, e cila tha se seanca e thirrur ka qëllime politike. Pas diskutimeve të gjëra dhe duke pasur parasysh faktin se ende nuk ka ndonjë raport të auditorit, i cili do ta qartësonte saktësisht situatën financiare në klub, shefi i GK të LDK-së, Haziz Hodaj,propozoi që në vend të votimit për pikën e caktuar në rend dite, të bëhet një takim ndërmjet shefave të grupeve kuvendare me qëllim të harmonizimit të një qëndrimi të përbashkët.

Pas takimit të shkurtë të shefave të grupeve kuvendare u dha propozim që vendimi për pezullim të financimit të klubit futbollistik “Liria” të votohet në mbledhjen e ardhshme dhe deri atëherë, të hartohet një vendim i ri që do ta qartësonte mënyrën e financimit të klubit nga ana e komunës së Prizrenit. Ndryshe, në këtë seancë të jashtëzakonshme ka munguar përveç kryetarit, Mytaher Haskuka, edhe drejtori i DKRS-së, Ehat Oreshka, në kuadër të së ciles drejtori  implementohet kodi “Politikat zhvillimore për kulturë, rini dhe sport”, përmes së cilit financohet KF “ Liria”, KB “ Bashkimi” dhe Teatri Profesionist i Prizrenit.