Si do të funksionojë kupa mbarëshqiptare “Nënë Tereza” e cila pritet të nis në mars

Kupa “Nënë Tereza” pritet t’i bëjë bashkë ekipet e futbollit nga dy shtetet shqiptare, ato nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Në këtë kupë, sipas asaj që raporton TopChannel, do të marrin pjesë Kategoritë Superiore, Kategoritë e Para dhe Kategoritë e Dyta të të dyja vendeve tona.

Aktualisht Kategoria Superiore e Shqipërisë ka 10 ekipe dhe e Kosovës 12. Kategoria e Parë e Shqipërisë ka aktualisht 20 ekipe dhe kategoria e Parë e Kosovës ka 16. Kategoria e Dytë e Shqipërisë ka aktualisht 26 ekipe ndërsa e Kosovës 16 sosh.

Por, si do të funksionojë kjo kupë, një shtrirje kaq e madhe gjeografike dhe sportive?

“22 ekipet e Kategorisë Superiore të Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë direkt në fazën 1/32, pra në fazën finale të aktivitetit, ndërsa rreth 80 ekipet e Kategorive të Para dhe të Dyta, të luajnë midis tyre me sistem vajtje ardhje, me short të lirë duke nxjerrë në fund 10 ekipe të tjera që do i bashkohen ekipeve të Kategorive Superiore. Vetëm Faza e parë eliminatore do të zhvillojë 140 ndeshje ndërkohë që deri në finalen e madhe do të luhen 201 ndeshje. Secila skuadër nga kategoria e parë dhe e dytë apo superiore, do të zhvillojnë takimet në stadiumet e tyre respektive, me qëllim njohjen e lojtarëve dhe tifozëve me trevat shqiptare. Sipas projekt-idesë, periudha e zhvillimit të fazës së parë janë parashikuar muajt mars-qershor 2020”, ka raportuar Top-Channel.

Theksohet se ka mbetur vetëm data për t’u përcaktuar për fillimin e këtij aktiviteti mbarëshqiptar, i cili trofeun e madh me shumë mundësi do ta ngre pikërisht në “Air Albania Stadium”, në Tiranë. / TCH