Si i shpëtuan lehtë ligjit anëtarët e familjes Grabovci

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci një ditë më parë u lirua nga të gjitha akuzat në rastin e përgjimeve “Pronto”, përderisa përballje “të lehtë” me ligjin patën edhe anëtarë tjerë të familjes së tij.

Në shtator të vitit të kaluar, ish-deputeti Grabovci, protagonist i përgjimeve “Pronto”, ishte shfaqur i afërt me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, teksa bënte fushatë për nipin e tij Valon Grabovcin, i cili në zgjedhjet e fundit, ka qenë kandidat i PDK-së për deputet.

“Rendi dhe siguria, mbi të gjitha. Me Policinë e Kosovës”, kishte shkruar Adem Grabovci në Facebook.

Foto: Facebook/ Adem Grabovci

Ndërkaq, pak vite më parë aspak miqësor me policinë ishin treguar dy djemtë e tij, Guxim dhe Ngadhnjim Grabovci.

Në vitin 2013, ata ishin akuzuar për sulm ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Në orët e para të 14 shkurtit të vitit 2013, polici Avni Selaci u godit me grushte në fytyrë nga njëri prej djemve të Adem Grabovcit, derisa po kërkonte nga vëllezërit Grabovci t’i tregonin dokumentet identifikuese.

Dy vjet më vonë, dy vëllezërit ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës me nga 6 muaj burgim, por dënimi ishte konvertuar në dënim me para.

Më 19 janar 2016, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar dënimin me nga 3 mijë euro të secilit prej dy djemve të akuzuar të Adem Grabovcit.

Kështu, për rrahjen e policit të Kosovës, dy djemtë e Adem Grabovcit u dënuan me gjobë në vlerën e përgjithshme 6 mijë euro.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për politikanin e ri të familjes Grabovci, Valonin, i cili për një kohë të shkurtër i kishte fituar 12 tenderë në vlerë të disa miliona eurove.

KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin për milionat e tenderëve që kishte përfituar kompania e afërt me të.

Valon Grabovci në zgjedhjet e fundit nacionale, ka garuar për deputet në listën e PDK-së së Kadri Veselit, por që nuk arriti t’i sigurojë votat për deputet.

Valoni Grabovci ka qenë i përfshirë në incidentin ku ishte vetëplagosur gruaja e Adem Grabovcit.

Arma ishte e tij, por gjykata e amnistoi nga përgjegjësia pasi vepra ishte amnistuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Me 29 maj të vitit 2012, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për incidentin në të cilin kishte marrë lëndime Kumrije Grabovci bashkëshortja e shefit të deputetëve të PDK.

Po të njëjtën ditë, Adem Grabovci kishte pranuar se gruaja e tij ishte lënduar duke potencuar se arma e incidentit ishte pronë e djalit të vëllait të tij.

PDK-ja në zgjedhjet e fundit garoi më premtimin kryesor për luftim të korrupsionit dhe nepotizimit. Ndërkaq, rezultatet e 6 tetorit, e çuan këtë parti për herë të parë në opozitë.

Ndërkohë, reagime të ashpëra shfaqi në vend, vendimi i këtij fillimviti i Gjykatës së Prishtinës për t’i liruar nga të gjitha akuzat, të akuzuarit e përgjimeve “Pronto”, me protagonist Adem Grabovcin.

Me 3 janar 2020, Gjykata e Prishtinës shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Gjykata ka gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas akgjykimit, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës. / Kallxo.com