Simmons: EULEX-i ka dorëzuar Serbisë dosje të luftës, institucionet kosovare nuk janë në dijeni për këtë

Ish-kryetari i gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se EULEX-i ka dorëzuar Serbisë dosje të luftës.

Në llogarinë e tij në Twitter, tha se autoritetet e Kosovës nuk janë në dijeni për këtë gjë.

“Për të qenë të qartë: EULEX i dorëzoi dosjet e krimeve të luftës Serbisë. Këto përfshinin skedarë që EULEX-i i kishte marrë nga UNMIK-u. Unë nuk mendoj se autoritetet e Kosovës e dinin se EULEX-i i kishte dhënë këto dosje Serbisë”, shkroi ai.

Përveç kësaj, Simmons tha se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me letrën që ia ka dërguar atij para disa javësh, e në të cilën ka listuar një sërë skandalesh që sipas tij e kanë karakterizuar misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Kurti e ka pranuar letrën dhe deklaratën time para disa javësh. Ka pasur shumë komente nga mediat në Kosovë, por asnjë fjalë nga Kurti. Koha do ta tregojë”, ka shkruar Simmons.

Këto komente Simmons i ka bërë teksa i ka replikuar dikujt që thoshte se Kurti ka detyrë të vështirë për ta ndryshuar sistemin, që sipas saj, ka kultivuar gjykatës që i shërbejnë – siç thotë Kurti – regjimit të vjetër.

Mbi këtë bazë, ish-kryetari i gjykatësve të EULEX-it ka kërkuar që të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës për të gjitha dëshmitë e përshkruara.

Përveç që aludon në ndikime politike, bashkëpunim të EULEX-it me Prokurorinë në Beograd, Simmons shpreh dilema edhe për punën e Gjykatës Speciale. /Telegrafi.