Situatë e tensionuar në festivalin kulturor në Serbi

Festivali kulturor në Serbi “Mirëdita – Dobar dan” është zhvilluar mes tensionesh, pasi grupe radikale serbe kanë protestuar kundër pranisë së artistëve shqiptarë atje.

Qendra për Dekontaminimin Kulturorë në kryeqytetin serb ka mysafirë artistët nga Kosova. Dekontaminimi duket i vështirë pasi përveç artistëve aty si gjithmonë arrijnë ata që e kundërshtojnë dhe e quajnë ofendim. Grupet radikale protestojnë duke thënë se Kosova është Serbi dhe se kultura kosovare nuk ekziston. Gjithçka atje atyre u duket serbe. Kundër shqiptarëve thonë se nuk kanë asgjë, por kanë kundër terroristëve dhe ekstremistëve, raporton ABC News.

Përfaqësuesja e tyre politike sqaron se cfarë është kontestuese dhe tradhëti në këtë festival.

Millica Gjurgjevic, Lëvizja Politike “Zavetnici”: “Nuk e lejojmë në Beograd propagandën e Shqipërisë së madhe. Shumica prej nesh në Serbi janë kundër dhe kjo na ofendon. Mund të kemi kulturën e Shqipërisë, por jo atë të Kosovës”.

Policia ka bllokuar lagjen Sllavia dhe nuk i lejon të afrohen, por protestuesit thonë se nuk largohen.

Pak metra tutje në oborrin e qendrës kulturore që prej tri dekadash promovon programe alternative, shqiptarë e serbë janë mbledhur për ta hapur festivalin e gjashtë. Në nderim të aktorit Bekim Fehmiu dhe kësaj radhe edhe të profesorit të arteve nga Beogradi, Petrit Imami, që ndërroi jetë këto ditë.

Kushtrim Koliqi, është organizatori nga Kosova. Në efektet e festivalit beson, por thotë se marrëdhëniet tani janë vërtetë toksike.

Kushtrim Koliqi, Organizata Integra, Prishtinë: “Festivali do të ketë disa filma, debate dhe prezantime, një pjesë prej të cilave për temë kanë luftën. Pasojat e saj pavarësisht se kanë kaluar dy dekada ngelen në marrëdhëniet Kosovë-Serbi ashtu sic janë edhe pjesë e dy botëve të ndara të festivalit”./ABC news Albania 24/7/