S’ka barazi gjinore në politikëbërjen kosovare, kërkohet përfaqësim i njëjtë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar përfaqësim të barabartë gjinor në listat për deputet nga partitë politike.

Nga ky institucion thonë se autoritetet që vazhdojnë të mbajnë përgjegjësi publike nuk po kanë vullnet të mjaftueshëm që të ketë përfaqësim të barabartë gjinorë në institucione.

Zëvendës Avokatja e Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se Institucioni i Avokatit të Popullit në këtë fazë po e përcjell dinamikën e zhvillimeve dhe do të shohin për hapat e mëtejmë varësisht se si do të rrjedhin gjërat.

“Ne po vazhdojmë të shpresojmë se partitë politike dhe KQZ-ja do ta kenë parasysh ballansin gjinorë dhe pjesëmarrjen barabartë të burrave dhe grave në lista. Ky është detyrim ligjor dhe kushtetues që grave dhe burrave tu japim mundësi të barabarta në përfaqësim. Institucioni i Avokatit të Popullit në këtë fazë po e përcjell dinamikën e zhvillimeve dhe natyrisht po shohim hapat në vazhdim, në rastin më të keq në rast se kjo nuk do të zbatohet prej partive politike dhe KQZ-së”, tha Sinani-Lulaj.

“Thirrja ose ftesa publike e vazhdueshme e Institucionit të Avokatit të Popullit ka qenë në vazhdimësi sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinorë dhe këtë jo vetëm drejtuar partive politike, por gjithë spektrit të institucioneve publike në radhë të parë. Duke pasë parasysh edhe mendësinë si shoqëri, përfshirë këtu edhe mendësinë institucionale kam përshtypjen se ftesat tona apo deklaratat tona publike që i bëjmë thirrje autoriteteve që mbajnë përgjegjësi publike nuk ka qenë e fundit dhe nuk do të jetë e fundit sepse kemi përshtypjen se vazhdon të mos ketë vullnet të mjaftueshëm që të ketë përfaqësim të barabartë gjinorë në institucione”, tha ajo për Ekonomia Online.

Sipas saj, vërehet dukshëm përfaqësimi i gjinisë mashkullore si në mbledhjet e Qeverisë, në paraqitjet mediale dhe në përfaqësimin jashtë vendit.

Sinani-Lulaj thotë se përfaqësimi i barabartë kërkohet edhe me Kushtetutë dhe sic tha ajo këtë duhet ta bëjnë edhe partitë politike në listat për kandidatë për deputetët, por edhe KQZ-ja.

“Në fakt, arsyeja pse kërkohet me ngulm përfaqësimi i barabartë përveç si diçka krejt e natyrshme është edhe kërkesë kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës e ka ndër vlerat themeloret saj parimin e barazisë dhe në mënyrë të veçantë specifikon barazinë gjinore, në këtë kuptim edhe kërkesa dhe thirrja jonë publike duke ju rikujtuar edhe partive politike dhe institucioneve se përfaqësimi i barabartë gjinor, dhënia e mundësive, listat e kandidatëve të cilat do të përmbajnë në mënyrë të barabartë burra dhe gra, është i detyrueshëm dhe domosdoshëm dhe këtë duhet ta sigurojnë edhe partitë politike dhe KQZ-ja në këtë rast”.

Thirrjet e tyre të vazhdueshme partitë politike nuk i kanë marrë parasysh. Ajo thotë se pozicionimi i barabartë i grave dhe burrave është e drejtë kushtetuese dhe ky përfaqësim duhet të jetë në Kuvend dhe Qeveri.

“Që të jemi krejt të sinqertë ka pasë deklarime më të zhurmshme dhe kemi pasë deklarime se partitë politike do të shohin dhe të reagojnë më pozitivisht drejt parimit të barazisë gjinore në këtë rast duke dashur apo theksuar se do t’i japin përparësi grave në aktivizimin e tyre. Në fakt, se si do të duhej të shihej barazia është se as partitë politike dhe as institucionet nuk ua dhurojnë grave pozicionin e barabartë kudo në pozitat publike. Ai pozicionim i barabartë grave u takon si e drejtë e tyre dhe në këtë kuptim edhe gratë dhe burrat do të duhej të angazhoheshin bashkërisht që përfaqësimi qoftë në mundësi dhe qoftë si përfaqësim në ulëset në Parlament dhe më vonë edhe në Qeveri të jetë i barabartë”, tha ajo për Ekonomia Online.

Avokati i Popullit ditë më parë në një komunikatë për medie ka kërkuar respektimin e parimit të barazisë gjinore në tërë procesin zgjedhor. /Ekonomia Online/