Skandal në Prishtinë: 21 vjeçari që rrezikoi paralizimin dyshohet se u sulmua nga një polic

Një 21 vjeçar dy net më parë është shpëtuar nga doktorët e Klinikës së Neurologjisë për shkak se i njëjti rrezikonte të humbiste aftësinë e të folurit dhe lëvizshmërinë e dorës dhe këmbës së djathtë.

KALLXO.com mëson se djali kishte dëmtime në kokë pas një incidenti që e ka pasur me një zyrtar policor .

KALLXO.com gjithashtu merr vesh se tri ditë më parë 21 vjeçari dyshohet se kishte një konflikt me një polic në lagjen “Velania” në Prishtinë.

Sipas burimeve të KALLXO.com, 21 vjeçari ka qenë duke luajtur me top me disa persona të tjerë në Lagjen “Velania” më saktësisht në afërsi të varrit të ish- Presidentit, Ibrahim Rugova.

Polici i cili ishte duke bërë roje të varri i Rugovës në rrethana të pasqaruara deri më tani është përleshur me 21 vjeçarin.

Çështja është duke u hetuar nga Inspektorati i Policisë dhe Prokuroria e Prishtinës.

Kryeprokurori Kujtim Munishi i ka thënë KALLXO.com se janë duke hetuar nëse lëndimet në tru janë nga konflikti me policin.

“Ne kemi kërkuar sot me mëngjes raportin e mjekut të Neurologjisë 21 vjeçari është operuar për shkak të sulmit që e ka pasur dhe ne kemi kërkuar raportin që ta dimë se a ka ardhur sulmi në tru si pasojë e incidentit me policin”, tha Munishi për KALLXO.com.

Munishi ka sqaruar se 21 vjeçari kishte konflikt me policin me datë 5 prill ndërsa sulmi në tru ka ardhur një ditë më pas me datë 6 prill. “Ai është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë ndërsa para se të ndodhte sulmi në tru ai e kishte raportuar IPK-në”, ka thënë Munishi.

Ai ka sqaruar se raporti i mjekëve tregon për lëndime në kokë ndërsa për tu saktësuar nëse  sulmi ka ardhur nga lëndimet duhet të kryhet edhe analiza mjekoligjore.

Policia e Kosovës nuk ka pranuar të japë informacione ndërsa në raportin ditor të Policisë së Kosovës, u dha njoftimi se një zyrtar policor ishte sulmuar nga një person.

Gjithmonë sipas raportit, polici kishte thënë derisa kishte qenë në vendin e punës ishte sulmuar fizikisht nga një person i panjohur i cili person pas sulmit ishte larguar në drejtim të panjohur.

“Zyrtari policor nuk ka pësuar lëndime trupore, ndërsa në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin ditor të datës 6 prill.

Inspektoriati i Policisë i ka konfirmuar KALLXO.com se është duhet hetuar rastin.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti për menaxhimin e ankesave ka pranuar një ankesë lidhur me rastin në fjalë lidhur me pretendimet për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës në këtë incident në lagjen “Velania””, thuhet në përgjigjen e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

IPK ka konfirmuar se janë duke e hetuar rastin ndërsa KALLXO.com mëson se gjatë ditës së djeshme hetues të IPK-së kanë qenë në Emergjencë për këtë rast.

Të pyetur për detaje në lidhje me rastin IPK i ka thënë KALLXO.com se janë në fazën e hetimeve dhe nuk mund të shpalosin më shumë detaje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtuesin e Klinikës së Neurologjisë, Nexhmedin Shala.

I njëjti i ka konfirmuar KALLXO.com se pacienti ka pasur nevojë për ndërhyrje emergjente por pa dhënë detaje të tjera për shkak se sipas tij ekipi do të duhej të merrte leje paraprake për të biseduar për këtë temë nga ana e Drejtorisë së Emergjencës.

Gjatë ditës së djeshme me anë të një njoftimi, Qendra Klinike Universitare e Kosovës tregoi se kishin arritur të shpëtonin një djalë 21 vjeçar nga paralizimi i gjysmës së trupit si dhe nga humbja e aftësisë e të folurit.

Ky rast u shfaq si një e arritur nga ana e QKUK-së.

“Ky intervenim është kryer në Klinikën e Radiologjisë, në bashkëpunim me Klinikën Emergjente, Klinikën e Neurologjisë dhe atë të Anestezionit, ku pas procedures së kryer tek pacienti rezultoi me kthimin e menjëhershëm të lëvizshmërisë së humbur të gjymtyrëve”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.