Skandali me 3.4 tonelata mish, arrestohet pronari i kompanisë ‘Buquku’

Policia e Pejës njoftoi sot për arrestimin e një personi lidhur me rastin e djeshëm të gjetjes së mbi 3 tonelatave mish në një depo që nuk i respektonte kushtet higjieno-sanitare, si dhe të 7 lopëve pa numër identifikues në stallën e këtij objekti.

Sipas Policisë, personi është arrestuar si i dyshuar për veprën penale – prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.

“Gjatë bastisjes në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth tre mijë e dy qind (3200) kilogram lloje të ndryshme të mishit, dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe  pa numër identifikues”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Operacioni dje është zhvilluar në objektet e fabrikës së përpunimit të mishit “Buquku”.

Këtë e ka pranuar në një prononcim për KALLXO.com drejtori financiar i kompanisë, Fisnik Nimoni.

Përfaqësuesi i kompanisë nuk i ka mohuar pretendimet e Prokurorisë dhe Policisë, por ka dhënë shpjegime për rastin. / Kallxo.com