Skema e fajdeve, shtëpia 400 mije euro për 20 mijë (VIDEO)

Vetëm vitin e Kaluar në rrethin e Prizrenit janë zhvilluar dy operacione të mëdha antifajde, ndërsa tarifat shkojnë deri në 25% në muaj. Pra, nëse janë marrë 1000 euro çdo muaj do duhen të paguhen 250 euro vetëm kamatë.

Në një pasdite dhjetori Prokuroria e Prizrenit kishte pranuar informacione se një furrtar i Prizrenit ishte viktima e radhës e fajdexhinjve.

“Nga vëllai i parë fillimisht kamë marrë shumën prej 3 mijë euro, me kamatë 25 % katër muaj. Pas shtatorit i kam marrë edhe 37 mijë euro, për të cilën kam paguar nga 6 mijë e 100 euro kamatë në muaj”, tregon viktima në Prokurori.

Denoncimi i viktimës në Prokurorinë e Prizrenit zbuloi edhe rrethana të tjera nga vëllai tjetër. Ai kishte marrë edhe shumën prej 11,250 euro të cilat ishin ngarkuar me kamatë prej 15%, ndërsa në mungesë të parave për t`i kthyer të dyshuarit për vënie të fajdesë kishin ardhur me një kërkesë tek furrtari.

“Nëse deri sonte nuk na i kthen 50 mijë euro ne do ta marrim shtëpinë”, ishte kërcënuar furrtari.

Viktima rrëfen në Prokurori se shtëpia e tij ka një vlerë prej rreth 400 mijë euro dhe ai nuk është i gatshëm ta japë atë për 50 mijë euro. / Kallxo.com