Skenderaj: Dorëhiqen ose shkarkohen shtatë drejtorë komunalë

Për një vit e gjysmë të qeverisjes me komunën e Skenderajt Bekim Jashari akoma nuk është rehatuar me drejtorët e drejtorive, të cilët japin dorëheqje ose shkarkohen pa ndonjë arsyetim. Për një vit e gjysmë të paktën shtatë drejtorë të drejtorive të Komunës së Skenderajt ose janë dorëhequr, ose janë shkarkuar derisa Kuvendi i Skenderajt asnjëherë nuk ka diskutuar për shkarkimet, por as për emërimet e drejtorëve të drejtorive, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Nuk është dhënë asnjëherë asnjë arsyetim për ç’arsye drejtorët e drejtorive komunale nuk po mund të zënë vend. Më jetëshkurtër në udhëheqje të një drejtorie kanë qenë Hamit Geci dhe Haxhi Deliu, që të dy kanë drejtuar për pak kohë Drejtorinë e Administratës Komunale, mbase edhe Sandra Fazliu, e cila për pak muaj ka drejtuar Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi e Pronë, ndërsa më jetëgjati ka qenë Mehmet Berisha, drejtor i Drejtorisë për Buxhet e Financa, i cili ka drejtuar këtë Drejtori që nga fillimi i qeverisjes së Bekim Jasharit e deri para pak ditëve.

Pas një aventure të shkurtër, Geci e Deliu janë kthyer në vendet e punës që mbanin në Komunën e Skenderajt, ndërsa Sandra Fazliu ka mbetur rrugëve. Mehmet Berisha, në anën tjetër, ka qenë drejtor i së njëjtës Drejtori edhe në kohën kur me Skenderajn kanë qeverisur Ramadan Gashi e Sami Lushtaku. Berisha gjithashtu ishte ideatori i krijimit të disa tabelave me shpenzime specifike, të cilat i bënte pjesë të raporteve të shpenzimit të buxhetit, përmes të cilave arrinte që “Shpenzimet për dreka zyrtare” t’i kualifikonte si “Shpenzime të bufesë”, ose Shpenzime për manifestime” dhe në këtë mënyrë krijonte huti në mesin asamblistëve, të cilët edhe ashtu bënin kritika për shkak të shpenzimeve të mëdha për dreka zyrtare. /Zëri/