Mbrëmja e së shtunës ka sjell një befasi të madhe në kampionatin italian, Serie A, pasi skuadrës së Sassuolos i janë anuluar katër gola ndaj Napolit nga VAR-i.

Napoli fitoi ndaj Sassuolos në shtëpi me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 36-të në Serie A.

Golat në këtë fitore të skuadrës së Gennaro Gattusos u shënuan nga mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj (8’) dhe mesfushori Allan (90+).

Megjithatë, kjo fitore e napolitanëve mund të cilësohet me fat, pasi Sassuolos i janë anuluar plot katër gola në këtë takim.

Sassuolo u ‘dënua’ nga VAR-i plot katër herë, apo në secilën pjesë nga dy gola i janë anuluar.

Filip Djuricic ishte shënues i dy golave të parë në pjesën e parë, në minutat 32 dhe 37, por që festa e tij nuk zgjati pasi golat u anuluan në dy rastet.

Në pjesën e dytë shënuan Francesco Caputo (50’) dhe Domenico Berardi (61’), por edhe këtyre dyve iu anuluan golat.

VAR-i ka anuluar gola edhe në të kaluarën, por anulimi i katër golave nuk është parë deri më tani.

Anulimi i katër golave ka bërë që rrjetet sociale të mbushen me komente të ndryshme rreth kësaj çudie. /Telegrafi/