Socialistët tërhiqen nga shkarkimi i Presidentit Meta

Shumica socialiste vendosi të premten të tërhiqet nga propozimi i një viti më parë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

Në Komisionin Hetimor, deputetët e PS-së u shprehën se shkeljet e Presidentit nuk kanë pasur pasoja të rënda, mirëpo këto shkelje bëjnë të nevojshme ndryshime ligjore në mënyrë që ato të mos përsëriten më.

Në mbledhjen e shkuar deputeti Alban Zeneli kishte shprehur hapur qëndrimin skeptik për ndonjë rezultat konkret të komisionit, megjithëse nga kryetari i tij, Ulsi Manja hasi në kundërshti.

Komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta u thirr nga socialistët, të cilët më pas morën edhe përkrahjen e opozitës parlamentare. Ai u ngrit më 8 korrik dhe në përbërje të tij ka pasur Ulsi Manjën, Klotilda Bushkën, Vasilika Hysin, Bashkim Finon, Alket Hysenin, Adriatik Alimadhin, Alban Zenelin, Halit Valterin dhe Krenar Rryçin.

Në qendër të hetimeve do të ishte veprimtaria e Presidentit Meta në lidhje me anulimin që ai i bëri më 11 qershor zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, zgjedhje të cilat u mbajtën pa praninë e opozitës, vetëm me kandidatë të Partisë Socialiste dhe Bindjes Demokratike.

Por në muajin tetor, këtij komisioni iu shtua edhe çështja e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese, ku socialistët pretenduan se emërimi i Arta Vorpsit ishte i ligjshëm dhe mënyra se si veproi Presidenti, duke emëruar përkundër saj Marsida Xhaferllarin, ishte në shkelje kushtetuese.

Rreth 8 muaj më vonë, Manja e quajti këtë çështje të sqaruar nga opinioni i Komisionit të Venecias. Në opinionin e saj Venecia u shpreh se Presidenti nuk kishte shkelur Kushtetutën në procedurën e ndjekur prej tij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese pasi Këshilli i Emërimeve kishte “vepruar në mungesë transparence”./en/