Sondazhi i VV-së, Bislimi: Do t’i kemi 55 deputetë

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka thënë se nga sondazhi i realizuar del se Vetëvendosje do t’i ketë 55 deputetë.

Sipas këtij sondazhi Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë.

Bislimi në një postim në rrejtin social Facebook shkruan se sondazhi është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që pohojnë se sistemi ynë elektoral pamundëson rezultat me mbi 50% për një subjekt politik.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

SONDAZHI I FUNDIT PËR KËTË VIT QË TREGON PREFERENCAT E VOTUESVE TË VENDIT

Ky sondazh është mbase përgjigjja më e mirë për të gjithë ata “analistë” dhe “njohës” të zhvillimeve politike në Kosovë që pohojnë se sistemi ynë elektoral pamundëson rezultat me mbi 50% për një subjekt politik. Dhe për atë se si e shohin qytetarët tanë “mirëqeverisjen” e Hotit dhe “opozitarizmin” e PDK-së.

Më poshtë keni rezultatet e sondazhit të fundit të realizuar javën që shkoi, me kritere që reflektojnë strukturën demografike, gjinore, etnike dhe urbane të vendit.

Kujdes në interpretimin e rezultatit meqë i njëjti nuk ka mund të inkorporojë disa variabla të cilat mund të kenë ndikim në numrin final të ulëseve:

Nuk e reflekton fuqinë politike të përkthyer në votë nga ana e diasporës.

Nuk e reflekton ndikimin eventual të iniciativës qytetare të paralajmëruar nga Vjosa Osmani

Nuk e reflekton ndikimin në vota që prodhohet nga suksesi apo dështimi i fushatës zgjedhore (dihet që në zgjedhje, zakonisht PDK e ruan elektoratin, VV shënon rritje, kurse LDK gjithnjë ka rezultat më të ulët në zgjedhje se sa në sondazhe).

Nuk reflekton goditjen që i vie subjekteve të koalicionit qeverisës pas shpalljes së qeverisë së tyre si antikushtetuese, dhe nuk e reflekton ndikimin që pritet të ketë në mbështetje secili subjekt politik pasi të bënë publik emrin e kandidatit të tyre për kryeministër.

Nuk e reflekton as rritjen e votave për VV-në, falë sulmeve e fyerjeve të porositura dhe sinkronizuara nga pseudoanalistët që vërshojnë studio televizive në kohë fushate.

Por, ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është që edhe përkundër gjithë këtyre elementeve të listuara më sipër, me vetëm pak më shumë angazhim, VV do ketë më shumë se 60 deputetë në kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/