Sot festohet Fitër Bajrami

Besimtarët myslimanë në mbarë botën sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit. Pas Muajit të shenjtë të Ramazanit, ceremonia e festimit të kësaj feste myslimane fillon me faljen e namazit të mëngjesit.

Në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i është drejtuar qindra besimtarëve me mesazhin e tij, duke thënë se kjo festë duhet të shfaq unitet në mes të njerëzve pa dallim.

“Kjo ditë është ditë e unitetit, prandaj duhet të shfaqim unitetin në familje dhe me njerëzit e shoqërisë sonë. Do të doja që fjalët e mija të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e qeveri që të reflektojmë në të mirë dhe për të mirën e atdheut”, tha Tërnava.

Qindra besimtarë që ishin të pranishëm në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, u shprehën të gëzuar për festimin e Fitër Bajramit, kështu duke uruar njëri-tjetrin.

Fitër Bajrami pason Muajin e Shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. /Radio Evropa e Lirë/