Sot skadon afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve

Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar të gjithë zyrtarët e lartë publik, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, se detyrimin e tyre ligjor duhet ta kryejnë deri të hënën, më 1 prill 2019.

Llogaritja e këtij afati është bërë në përputhje me paragrafin 4, Nenit 81, të Ligjit Nr. 05/L -031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili përcakton se: “Të shtunat, të dielat dhe ditët e festave zyrtare nuk do të pengojnë fillimin dhe ecjen e afateve. Kur dita e fundit e një afati bie të shtunën, të dielën apo një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen menjëherë pas saj”.

Agjencia në njoftimin e publikuar në ueb faqen e saj ka theksuar se është në dispozicion të të gjithë zyrtarëve në mënyrë që procesi i deklarimit të rregullt të pasurisë të kryhet me sukses.