Sot votohet në 21 shtete evropiane për Parlamentin Evropian, rezultatet do të publikohen në mbrëmje

Sot është dita e fundit e votimeve për zgjedhjen e deputetëve të rinj për Parlamentin Evropian.

Deri më tash në shtatë të BE-së janë zhvilluar votimet. Bëhet fjalë për Holandën, Britaninë e Madhe, Irlandën, Republikën Çeke, Letoninë, Maltën dhe Sllovakinë.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme do të mbahen zgjedhjet e Parlamentit Evropian në 21 shtetet tjera të BE-së prej 28 sosh sa janë gjithsej. Në këtë mënyrë, qytetarët e Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Italisë, Lituanisë, Luksemburgut, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovenisë, Spanjës dhe Suedisë do të kenë të drejtë të hedhin votën për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian për pesë vitet e ardhshme.

Ndërkohë, të drejtë vote kanë gjithsej 400 milionë qytetarë të shteteve të BE-së, ndërsa rezultatet ende nuk dihen se kë do të nxjerrin fitues të këtyre zgjedhjeve. Sipas mediave britanike, rezultatet pritet të publikohen pas mbylljes së vendvotimeve në ora 21:00 të dielën.

Nga ana tjetër, në tërë Evropën, partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë janë duke u koordinuar ndërmjet vete për të sfiduar grupet e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë cilat gjithnjë kanë pasur numrin më të madh të përfaqësuesve në mandatet e Parlamentit Evropian.

Në këtë mënyrë, partitë e ekstremit të djathtë nga Italia, Gjermania, Finlanda dhe Danimarka kanë bashkuar forcat për të krijuar Aleancën Evropiane të Popujve dhe Kombeve për të sfiduar grupet që kanë mbajtur deri më tash shumicën në Parlamentin Evropian.

Edhe pse aktualisht grupet nacionaliste dhe euroskeptike nuk kanë numër të madh të përfaqësuesve në Parlamentin Evropian, megjithatë është rritur përkrahja sidomos ndaj partive që kanë bërë fushatë të vazhdueshme kundër emigrantëve që prej zgjedhjeve të fundit që ishin mbajtur më 2014.