Sot zgjedhjet në RMV, për shkak të COVID-19, qytetarët votojnë në 3 ditë të ndryshme

Pas 20 ditësh fushatë zgjedhore në të cilën partitë politike dhe koalicionet paraqitën platformat e tyre para qytetarëve, sot në Maqedoninë e Veriut nis procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, proces i cili për shkak të pandemisë COVID-19, do të zgjasë 72 orë.

Për shkak të situatës me pandeminë, ditën e hënë, më 13 korrik, do të votojnë personat që janë në izolim apo karantinë, e që deri më tani janë 716. Qytetarëve në fjalë do t’u mundësohet votimi në kushtet e shtëpisë.

Ditën e dytë , më 14 korrik, do të votojnë të moshuarit dhe personat e sëmurë. Po ashtu do të votojnë edhe të burgosurit. Rreth 9 mijë persona (8,852) të kësaj kategorie janë në listë për të votuar.

Ndërsa të mërkurën, më 15 korrik, do të votojnë të gjithë qytetarët e tjerë.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë  1 milion e 814 mijë e 263 qytetarë. Në Maqedoninë e Veriut janë 3,390 vendvotime.

Në garën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut do të garojnë 15 koalicione e parti me 1,578 kandidatë për deputetë.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, bëhet fjalë për 903 kandidatë meshkuj dhe 675 femra. Për sa i përket moshës, 795 kandidatë janë midis 30 dhe 49 vjeç.

Vendvotimet do të hapen në orën shtatë të mëngjesit, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21, dy orë më shumë se zakonisht, për shkak te protokolleve shëndetësore që parashikojnë një minutazh më të zgjatur për çdovotues./en/