Specialja vërshon me ftesa për komandantët, paralajmërohen protesta

Dita-ditës po shtohen ftesat për intervistim ndaj ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së, por po rriten edhe kërkesat për nisjen e protestave për ta kundërshtuar punën e Gjykatës Speciale. Teksa përfaqësues të OVL-së së UÇK-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë e protestave, edhe ish-komandantë të UÇK-së i kanë thënë “Zërit” se do ta përkrahin këtë kauzë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në këtë fillimjave Kosova “u pushtua” nga ardhja e ftesave të reja të Prokurorisë së Specializuar, me seli në Hagë, drejtuar ish-krerëve e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Mbi dhjetë pjesëtarë të kësaj force, duke përfshirë këtu edhe kryetarin aktual të Komunës së Rahovecit Smajl Latifin, ish-rektorin e UP-së Ibrahim Gashin, ish-luftëtarët Jetullah Krasniqin, Isni Kilajn, Fazli Behramin e të tjerë, kanë bërë publike ftesën e tyre dhe kanë deklaruar se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale, ndonëse kanë thënë se nuk besojnë në drejtësinë, të cilën mund ta sjellë kjo gjykatë.

Ndërkohë për t’i kundërshtuar ftesat e Prokurorisë Speciale nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) nuk e kanë përjashtuar mundësinë e organizimit të protestave. Kryetari i kësaj Organizate Hysni Gucati për “Zërin” ka deklaruar se ende nuk është caktuar data e nisjes së protestave, mirëpo ka theksuar se ata do ta ngrenë zërin e tyre kundër Speciales, e cila është njëetnike dhe e padrejtë.

Në anën tjetër ish-komandantë të UÇK-së, të cilët janë ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim, i kanë thënë “Zërit” se i konsiderojnë të drejta thirrjet për protesta, si dhe kanë lënë të hapur mundësinë që t’i bashkëngjiten OVL-së në protestim. /Zëri/