Spitalet e QKUK-së në pritje të shumë aparaturave diagnostikuese

Investimi i ulët në blerjen e aparaturave dhe neglizhenca e derivonshme e modernizimit me pajisje të reja të shumë ambienteve spitalore e laboratorike në QKUK kanë bërë që spitalet e klinikat të punojnë edhe me aparatura të stërvjetruara. Ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë ditë më parë se do të vazhdojnë të investojnë në spitalet në vend derisa t’i shndërrojnë ato në objekte moderne, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë gjatë këtij viti ka blerë disa aparatura të nevojshme për institucionet publike shëndetësore në vend, këto të fundit edhe më tej kanë kërkesa për stabilimente të reja shëndetësore. Investimi i ulët në blerjen e aparaturave dhe neglizhenca e derivonshme e modernizimit me pajisje të reja të shumë ambienteve spitalore e laboratorike në QKUK kanë bërë që spitalet e klinikat të punojnë edhe me aparatura të stëvjetruara dhe të amortizuara, të cilat është dashur të dalin jashtë përdorimit.

Derisa mungesa e shumë aparaturave në QKUK e në spitalet rajonale është e madhe, miliona euro kanë shkuar për dritare të reja, izolime e ndriçime në QKUK.

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë ka pajisur me një laparaskop (shkop me dritë dhe kamerë të vogël, që mundëson shikimin e organeve) të ri Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa gjatë javëve të kaluara ka bërë edhe investime të tjera në spitale e në QKUK.

/Zëri, https://zeri.info/aktuale/283392/spitalet-e-qkuk-se-ne-pritje-te-shume-aparaturave-diagnostikuese/