Sqarohet MMPH-ja pas anulimit të projektit të deponisë i financuar nga BE-ja

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shprehur shqetësimin në lidhje me dështimin e realizimit të projektit për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Harilaq të Fushë- Kosovës, si rezultat i refuzimit të komunës pa ndonjë argument.

MMPH në adresë të mediave ka dërguar një sqarim pas anulimit të projektit të deponisë i financuar nga BE-ja.

“Në Republikën e Kosovës gjenerohen shumë mbeturina të cilat për nga karakteristikat e tyre konsiderohen të rrezikshme dhe të cilat në shumicën e rasteve janë të  vendosura dhe të hedhura në vende jo të përshtatshme, kështu që këto mbeturina dhe materie të rrezikshme, në gjendjen në të cilën gjenden tani, paraqesin një kërcënim të përhershëm për kontaminimin e tokës, ujit dhe ajrit, gjithashtu paraqesin rrezik edhe për shëndetin e njeriut me pasoja  afatgjate.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në kuadër të Strategjisë se Republikës së Kosovës për Menaxhimin e Mbeturinave 2013-2022, ka planifikuar ngritjen e projektit –“Ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë”. Për këtë projekt është marrë përkrahja e Programit IPA 2015. Aktivitetet për krijimin e parakushteve për realizimin e projektit në fjalë janë bërë së bashku me MZHE dhe nën mbështetjen e Komisionit Evropian.

Me programin e IPA 2015, ishin siguruar 12 milion euro për zhvillimin e këtij projekti që do të shërbejnë për magazinimin e mbeturinave të rrezikshme nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Zhvillimi i projektit ishte i varur nga përcaktimi i lokacionit, icili me parë ishte përcaktuar  në zonën kadastrale të Harilaqit – komuna e Drenasit, por lokacioni i përcaktuar dhe i lejuar nga Qeveria e Kosovës që në vitin 2009, tani për tani nuk do të mund të shfrytëzohej për qëllimin e këtij projekti, pasi qësipërfaqja e konsideruar e lokacionit është e pa pastruar nga mjetet shpërthyese dhe mund të paraqes rrezik për jetën e njeriut. 

Nga sekretari i MMPH është emëruar një Komision ndërinstitucional për hulumtimin, përzgjedhjen dhe propozimin e një lokacioni që do të ishte më i përshtatshëm për qëllimin e lartcekur. Komisioni ka dal në teren dhe ka propozuar që njëri nga lokacionet e mundshme për “Ndërtimin e  objektit për ruajtjen e përkohshme  të mbeturinave të rrezikshme”, mund të shfrytëzohen parcelat me ID të njësisë kadastrale P-72514003-00022-16; P-72514003-00022-17; P-72514003-00022-18; P-72514003-00022-19, që ishte në pronësinë e Agjensisë Pyjore të Kosovës, në zonën kadastrale Harilaq në komunën e Fushë Kosovës ( ne afërsi te lokacionit te meparshem).

MMPH-së ka bërë kërkesë në Qeverinë e Republikës së Kosovë, e cila ka lëshuar Vendimin Nr. 11/49, datë 29. 05.2018 për caktimin e lokacionit për ,,Ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme” në Kosovë.

Nga zyra e Komisionit Evropian në Kosovë për këtë projekt kishin filluar aktivitetet. Ishtë kontraktuar Kompania ,,GEOKOS”, për të bërë hulumtimet gjeoteknike të lokacionit.

Derisa zhvilloheshin shpimet gjatë hulumtimit, Inspektorati i komunës së Fushë Kosovës, ka ndërprerë punët e kompanisë që bënte hulumtimet.

MMPH menjëherë ka kontaktuar Kryetarin e komunës së Fushë Kosovës, të cilit i është sqaruar qëllimi dhe rëndësia e projektit, dhe i është thënë se pas shqyrtimit gjeoteknik do të pasojë edhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për projektin.

Personat kompetent nga MMPH ishin pjesëmarrës në asamblenë komunale të Fushë Kosovës, me qëllim për të i’u sqaruar rëndësinë e Projektit.

Megjithatë, asambleja Komunale mori vendim që mos të zbatohet Vendimi i Qeverisë për shfrytëzimin e lokacionit. Ky vendim ende nuk është dërguar në Ministrinë e Administrimit të pushtetit Lokal, gjithashtu, këtë vendim edhe MMPH nuk e posedon.

Ndërkohë, gjatë takimeve, me propozimin e Kryetarit të Komunës, zyrtar të MMPH-së dhe përfaqësues të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, kanë vizituar edhe ca vende në afërsi të lokacionit aktual, megjithatë është konstatuar se lokacioni i përzgjedhur dhe i lejuar me Vendim nga Qeveria e Kosovës është njëri ndër lokacionet më të përshtatshme që do tëplotësonte kushtet në tërësi.

Më 21.11. 2018, MMPH e ka lëshuar Autorizimin mjedisor për vazhdimin e punëve nga kompania Geokos- Prishtinë, në hulumtimet gjeoteknike të lokacionit, dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve të tjera për projektin.

Më 07.03.2019  ne udhëheqjen e Ministrit të MMPH . z. Matoshi dhe përfaqësuesve nga  Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë,  si dhe kryetarit të komunës së Fushë Kosovës është mbajtur takim ku është diskutuar lidhur me lokacionin e përcaktuar për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.

Takimi  në asamblenë e Komunës se F. Kosovës është mbajtur me 10.04.2019, ku është prezantuar projekti si dhe efektet e mundshme në shëndetin e qytetarëve dhe në mjedis.

Vlen të përmendim që nga Komuna e Fushë- Kosovës nuk është prezantuar asnjë argument i qëndrueshëm për ndonjë ndikim negativ që mund të këtë ky projekt.

Në fakt situata e tanishme është shqetësuese, këto mbeturina të rrezikshme i kemi në vende të ndryshme të pa trajtuara dhe ne vende që mund të paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë tek qytetarët.

Po ashtu vlen të theksojmë që vendi ku është paraparë ndërtimi i objekteve, momentalisht është i degraduar dhe i mbushur me mbeturina.

Pavarësisht garancisë që kanë ofruar zyrtarët e MMPH-së dhe ata të komisionit evropian që ky projekt nuk ka vend për shqetësime, komuna e Fushë-Kosovës ka vazhduar kundërshtimin ndaj këtij projekti.

Marrë parasysh këtë situatë dhe kundërshtimin e kryetarit të komunës pa asnjë argument, komisioni evropian ka tërhequr fondet dhe projekti ka dështuar.

MMPH me këtë rast vlerëson përkrahjen, punën dhe përkushtimin e lartë të komisionit evropian për të na ndihmuar në eliminimin e një prej problemeve që paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe shpreh keqardhje për refuzimin e Komunës së Fushë-Kosovës për realizimin e këtij projekti.

MMPH siç e dini është duke përkrahur mjaft shumë komunat në realizimin e projekteve mjedisore duke përfshirë edhe komunën e Fushë-Kosovës, ndaj një refuzim i tillë, për një projekt të këtillë që nuk paraqet rrezik për qytetaret është i papranueshëm dhe ndikon negativisht edhe në raport me donatorët tonë, e ne veçanti me donatorin në fjalë.

MMPH është duke punuar në kontinuitet për trajtimin e duhur të mbeturinave ne nivel nacional dhe këtë angazhim do ta vazhdojmë dhe me tej pavarësisht këtij rasti, duke përfshirë edhe mbeturinat e rrezikshme për të cilat sigurisht që do të gjejmë një zgjidhje”.