Stolisja e sheshit të Pejës mund edhe të mos realizohet!

Planifikimi i realizimit të projektit për stolisjen e qytetit, për të cilën nga Komuna e Pejës janë ndarë 30 mijë euro, mund të mos ndodhë!

Drejtoresha për punë komunale dhe shërbime publike në Pejë, Xhevahire Çeku-Kelmendi, tregoi se me këtë projekt planifikohet stolisja e pjesës qendrore të sheshit të qytetit dhe rrugës së korzos deri të “ura e zallit”.

Mirëpo, përkundër faktit se ky projekt ka nis procedurat e tenderimit, tenderi është shpallur pak vonë dhe në rast se tenderi do të ketë zvarritje në procedurat e tij deri në kontraktim të operatorit, nuk përjashtohet edhe mundësia që sheshi të mbetet edhe sivjet pa stolis.

“Edhe kjo mund të ndodh, sepse pak jemi vonuar me shpalljen e tenderit edhe pse nuk ka qenë faji i drejtorisë tonë. U ngritën disa debate se a duhet apo jo të stoliset sheshi në këtë kohë të pandemisë. Ato debate vazhdimisht janë ngritur jashtë drejtorisë tonë nga njerëz jo kompetentë. Dhe padrejtësisht na e kanë pronlonguar këtë projekt dhe na e kanë shtyrë nisjen e procesit të tenderimit”, citohet të ketë thënë ajo.

Ndryshe, në vitet e kaluara qytetin e Pejës festat e kanë gjetur të pa stolisur, pavarësisht kërkesave të qytetarëve, përjashtimisht që në vitin 2015 ishin shpenzuar 10 mijë euro nga arka e komunës për stolisje të sheshit për festat e fundvitit.

Vlenë të theksohet se deri në vitin 2013 Komuna e Pejës e ka pasur rregullisht një kod në të cilin kanë qenë 10 mijë euro të dedikuara për stolisje të qytetit për festat e fundvit, ndërsa edhe për vitin 2014 ky buxhet ishte planifikuar, por mjetet nga ky kod ishin marr për të paguar borxhe të komunës për kontestet e saj të humbura gjyqësore.