Stoltenberg dhe Rama nuk mohojnë ndikimin rus në protestat e fundit në Ballkan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar të dielën një vizitë në Tiranë. Ai është pritur në Aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Gjatë kësaj vizite, shefi i NATO-s ka pasur takime të ndara me udhëheqësit e institucioneve të Shqipërisë, gjegjësisht presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Vizita e Stoltenbergut në Shqipëri ka rastisur në ditën kur po zhvillohet protesta e partive opozitare në Tiranë kundër kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Qeverisë së udhëhequr nga ai.

Mediat shqiptare kanë raportuar se në konferencën për shtyp të Ramës me Stoltenbergun, këta dy të fundit janë pyetur nëse protestat e fundit në Tiranë, por edhe në vendet e rajonit, si në Serbi dhe Malin e Zi, janë të ndikuara nga Rusia me qëllim destabilizimin e Ballkanit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka theksuar se ka pasur përpjekje nga Rusia për t’u përfshirë në institucionet e vendeve demokratike, duke përfshirë këtu edhe në institucionet e NATO-s. Stoltenberg ka bërë thirrje në Tiranë për respektimin e institucioneve demokratike duke mos u përgjigjur nëse ka ndikim rus në valën e fundit të protestave në rajon, përfshirë Shqipërinë.

“Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë. Ajo që nuk është e pranueshme është dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes proceseve demokratike. Zgjedhjet janë një element thelbësor i proceseve demokratike në shtetet anëtare të NATO-s, prandaj u bëj thirrje të gjithë palëve të marrin pjesë në proces. Palët të zgjidhin problemet përmes dialogut” ka deklaruar Stoltenberg.

Ndërsa, kryeministri Rama nuk e ka mohuar mundësinë e përfshirjes në Rusinë lidhur me ngjarjet e fundit në rajon.

“Së pari nuk është sekret, që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-s, si dhe ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, dua të nënvizoj se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte një njollë turpi për ne, si një vend i NATO-s. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s e as të BE. Si e tillë, me apo padashje çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk e duan integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si në NATO ashtu edhe në BE”, ka thënë Rama, transmeton Top Channel.

Nga ana tjetër, Sekretari Stoltenberg ka lavdëruar Shqipërinë për kontributin që ka dhënë me trupat e saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për misionin e NATO-s në Afganistan, ndërsa ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet e tij për fundin tragjik të dy ushtarëve të Shqipërisë në Letoni që humbën jetën para disa javësh.