Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të marrin si shembull Marrëveshjen e Prespës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Shkup, ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë dhe të gjendet një zgjidhje politike në mes të të dyja vendeve.

Ai ka theksuar se Marrëveshja e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, përmes së cilës i është dhënë fund mosmarrëveshjeve politike të këtyre dy vendeve, duhet të jetë shembull për Kosovën dhe Serbinë.

“Kosova dhe Serbia duhet të marrin si shembull Marrëveshjen historike të Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, jo për të harruar të shkuarën, por për të shkuar përpara, ashtu siç po shkon Maqedonia e Veriut. Le të ngelet ky shembull si një model për vendet e tjera për të ecur përpara”, ka thënë Sekretari Stoltenberg nga Shkupi pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

I pyetur nga gazetarët se sa të sigurta janë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë në NATO, sikurse Kosova, Stoltenberg ka bërë të ditur se NATO-ja është e pranishme në Kosovë përmes KFOR-it dhe se NATO-ja është aty për të dhënë garanci, paqe dhe mbrojtje për të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë serbët, ka raportuar Alsat-M.