Stoltenberg: Maqedonia e Veriut po kontribuon në sigurinë rajonale

Në kuadër të vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është mbajtur takimi i Këshillit Veri-Atlantik me Komitetin për Integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimin e hapi Sekretari Stoltenberg, i cili në fjalimin e tij hyrës tha se Shkupi dhe Athina kanë treguar vendosmëri historike me zgjidhjen e çështjes së emrit, duke aluduar në Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar mes dy vendeve.

“Ju tani po ndërtoni ardhmëri më të mirë për vendin tuaj, duke kontribuuar në sigurinë rajonale dhe trans-atlantike, si dhe siguroni sovranitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut”, tha Stoltenberg.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fjalimin e tij theksoi se anëtarësimi i vendit në NATO është realizim i aspiratave të qytetarëve dhe të gjitha partive politike.

“Gjithnjë ka ekzistuar konsensus i gjerë mbipartiak dhe ndëretnik për anëtarësimin tonë në NATO. Kjo ishte njëra nga idetë tona udhëzuese më të fuqishme edhe kur e kishim më të vështirë”, tha Zaev, duke përmendur krizën e sigurisë në vitin 2001 dhe krizën politike të dy viteve më parë.

Stoltenbeg, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, gjegjësisht anëtarët e Këshillit Veri-Atlantik, po vijojnë me vizitën dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, para qeverisë u organizua pritje solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake me rastin e vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ku edhe zhvilloi takim kokë më kokë me kryeministrin Zaev.

Të dielën, Stoltenberg u takua me kryeparlamentarin Talat Xhaferi ndërsa në kuadër të vizitës është paraparë edhe takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Këshilli Veri-Atlanik është trupi kryesor politik që sjell vendime në NATO. Këshilli i mbikëqyr politikat dhe proceset ushtarake në lidhje me çështjen e sigurisë që ndikojnë në Aleancë. E përbëjnë përfaqësues të të gjitha vendeve, ndërsa kryesues është Sekretari i Përgjithshëm.

Kjo është vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit Veri-Atlantik në Shkup pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të vendit në Aleancë. /Anadolu Agency/