Studentët bojkotojnë mësimin, paralajmërojnë bllokimin e MASHT-it

Përfaqësuesit e studentëve kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protestat e nga bojkoti deri në realizimin e kërkesës së tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Studentët e Fakultetit të Arteve dhe atij të Edukimit kanë protestuar sërish dje pranë Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT). Vendimi i fundit nga kjo Ministri rreth mosaplikimit për bursë të studentëve të fakulteteve të lartcekura nxiti reagime të ashpra nga studentët, të cilët paralajmëruan edhe bllokim të MASHT-it. Sipas tyre, privimi nga konkursi i MASHT-it për bursistë është i padrejtë për ta.

Përderisa studentët janë duke vazhduar me protesta e me bojkot, MASHT-i ka zgjedhur heshtjen për t’u kundërpërgjigjur atyre. Edhe pse ministri në detyrë, Shyqiri Bytyqi, zhvilloi një takim të mbyllur me përfaqësuesit e studentëve të fakulteteve që u janë hequr bursat, askush nga MASHT-i nuk u deklarua lidhur me këtë çështje.