Studentët protestojnë për mosformimin e qeverisë, “Boll luajtët me këtë popull”

Një grup studentësh ka protestuar përmes grafiteve për mosformimin e qeverisë.

Ata protestuan para hyrjes së Kuvendit të Kosovës duke shkruar në tokë “Boll luajtët me këtë popull”.

Një nga studentët protestues ka thënë para gazetarëve se të rinjtë po largohen nga Kosova shkaku i mospasjes së një jete të mirë.

“Nuk jemi duke parë avancim në asnjë sferë. Ka degradim në arsim, në politikë, në zhvillim ekonomik. Po ju garantoj që prej muajit mars çdo i ri që ka mundësi, çdo i dijshëm, çdo njeri që ka potencial… Gjermania na ka dhenë mundësinë për t’u kualifikuar atje. Ne do të ikim sapo të kualifikohemi, klasa e njerëzve të mirë ka për të ikë, për atë arsye vendi po shkon drejt kolapsit. Nëse nuk votohet buxheti ka me pas edhe trazira më të mëdha, jo vetëm bullizmi që kemi me ua bë në rrugë përfaqësuesve të popullit, por çka s’kemi me ju bë”, ka thënë ai duke shtuar se “politikanët s’do t’i lënë të qetë të rrinë as në kafenetë e Prishtinës e as nëpër rrugë”.

“Po na shkaktojnë kokëçarje për lojërat e tyre për pushtet. Ju garantojmë që ku t’i shohim në rrugë kemi me ju bë bullizëm, kemi me ju fishkëllu, kemi me i ofenduar përderisa nuk punojnë”, ka thënë tutje ai.

Pas përfundimit protestuesit u shpërndanë të qetë.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën më 6 tetor. Që nga ajo kohë, dy partitë që dolën të parat, Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës janë në negociata për formimin e qeverisë, por një gjë e tillë s’është arritur ende. Madje deklarimet e fundit të të dy partive duket se një marrëveshje është vështirë e arritshme.