Studiuesit nga një universitet gjerman: Bota ka zbuluar vetëm 6 për qind të të prekurve nga coronavirusi

Numri i përgjithshëm i infeksioneve me coronavirus ka të ngjarë të jetë në mënyrë drastike më i lartë se shifrat e regjistruara zyrtarisht nga autoritetet shëndetësore në të gjithë botën, sipas një studimi të ri.

Christian Bommer dhe Sebastian Vollmer nga Universiteti Göttingen në Gjermani analizuan të dhënat nga një studim i fundit i botuar në revistën mujore The Lancet Infectious Diseases.

Studiuesit shikuan vlerësimet e vdekshmërisë së coronavirusit dhe kohën nga infeksioni deri në vdekje për të vlerësuar cilësinë e regjistrave zyrtarë të rasteve.

Sipas studiuesve gjermanë, të dhënat treguan se vendet kanë zbuluar vetëm mesatarisht rreth 6% të të gjitha infeksioneve me coronavirus.

Ata pretenduan se numri i vërtetë i përgjithshëm i njerëzve të infektuar me coronavirus tashmë mund të ketë arritur në dhjetëra miliona njerëz në të gjithë botën.

“Këto rezultate nënkuptojnë që qeveritë dhe krijuesit e politikave duhet të bëjnë kujdes ekstrem kur interpretojnë numrat e rasteve për qëllime planifikimi”, tha Vollmer, profesor i Ekonomisë së Zhvillimit në universitet.

“Dallimet e tilla ekstreme në sasinë dhe cilësinë e provave të kryera në vende të ndryshme do të thonë që regjistrimet zyrtare të rasteve nuk japin informacion të dobishëm”, paralajmëroi ai.

‘Dhjetëra miliona’

Bommer dhe Vollmer vlerësuan se më 31 mars 2020, Gjermania ka të ngjarë të ketë patur 460,000 infeksione.

Bazuar në të njëjtën metodë, ata llogaritin se SHBA ndoshta ka pasur më shumë se 10 milionë, Spanja më shumë se 5 milion, Italia rreth 3 milionë dhe në Mbretërinë e Bashkuar rreth 2 milionë infeksione me coronavirus.

Në të njëjtën ditë, Universiteti Johns Hopkins po raportonte rreth 900,000 raste të diagnostikuara dhe të konfirmuara zyrtarisht në të gjithë botën.

“Ndërsa të dhënat e Johns Hopkins raportojnë më pak se një milion raste të konfirmuara globalisht në momentin kur është shkruar kjo korrespodencë, ne vlerësojmë se numri i infeksioneve të jetë disa dhjetëra miliona”, thuhet në studim.

Sipas autorëve, testimi i papërshtatshëm dhe i vonuar mund të jetë arsyeja pse disa vende evropiane, përfshirë Italinë dhe Spanjën, po përjetojnë shkallë shumë më të larta të viktimave (në krahasim me rastet e konfirmuara të konfirmuara) sesa Gjermania, përcjell Telegrafi.

Ata vlerësojnë se Gjermania ka identifikuar rreth 15.6% të të gjitha rasteve të saj, krahasuar me vetëm 3.5% në Itali ose 1.7% në Spanjë.

Shkalla e zbulimit mendohej të ishte edhe më e ulët në SHBA (1.6%) dhe në Mbretërinë e Bashkuar (1.2%).

‘Vetëm çështje kohe’

Studiuesit kërkuan përmirësime të mëdha në aftësinë e vendeve për të zbuluar infeksione të reja dhe më pas të miratojnë masa për izolimin e pacientëve të infektuar dhe gjurmimin e personave të kontaktit.

Nëse vendet nuk arrijnë ta bëjnë këtë, “virusi mund të mbetet përsëri i pazbuluar për një periudhë të zgjatur kohe dhe një shpërthim i ri ka të ngjarë të jetë vetëm një çështje kohe”, paralajmëruan autorët. / DW