Suhareka jep shembull të mirë, parkingun e komunës e lëshon për diasporën

Pas lajmit se një numër i madh i diasporës janë nisur për në vendlindjen e tyre, në Kosovë, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muhrremaj ka bërë një njoftim për përgatitjet që kanë bërë për të pritur diasporën.

“Po shohim se tashmë jeni nisur drejt vendlindjes tuaj, natyrisht për t’i vizituar familjet tuaja dhe festat t’i gëzoni në vendin tuaj.  Si kryetar i komunës jam në shërbimin tuaj, duke ju uruar së pari udhëtim të mbarë, dhe ju premtoj se institucionet komunale janë në shërbimin tuaj me të gjitha kapacitetet” ka shkruar Muharremaj në Facebook.

Ja njoftimi i plotë i kryetarit të Suharekës për diasporën:

🟢 Parkingu në oborrin e komunës është falas për ju, ashtu siç e kemi praktikuar edhe viteve të kaluara;

🟢E-Kiosqet në qytet për shërbime online, për nxjerrjen e dokumenteve bazë do të jenë në shërbim për ju, krahas administratës e cila do të operoj me të gjitha kapacitetet brenda kompetencave komunale;

🟢Jemi munduar ta mbajmë të gjithë hapësirën publike bukur dhe pastër;

🟢Qyteti është rregulluar për festat e fundvitit,  nga nxënësit dhe profesorët, ashtu që ju të krenoheni me vendin tuaj dhe progresin që ka

Meqë jemi në kohë pandemie, ju lus që t’i zbatoni rregullat e institucioneve shëndetësore që ta mbroni veten dhe familjet tuaja.

Ju i keni dhënë shumë vendit tuaj në të gjitha periudhat, dhe detyrë e jona është t’ju shërbejmë institucionalisht dhe për këtë obligohem të jem në krye të detyrës.

Besoj se do të takohemi në qytet, natyrisht me respektim të rregullave dhe distancës, dhe me kënaqësi do t’i dëgjoj, vërejtjet, këshillat dhe sugjerimet tuaja./indeksonline