Supremja hedh poshtë ankesat kundër verifikimit të votuesve nga jashtë vendit

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e organizatës joqeveritare “Germin”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim të votuesve nga jashtë.

“Germin” kishte paraqitur ankesë me të cilën kontestonte ligjshmërinë e vendimit që votuesit nga jashtë të verifikohen përmes thirrjeve telefonike.

Në një njoftim për media, Gjykata Supreme ka thënë se pasi shqyrtoi shkresat e lëndës nga PZAP-i dhe “Germini”, vendosi se ankesa është e palejuar.

Në arsyetim Supremja ka thënë se e ka pranuar si të bazuar qëndrimin e PZAP-it se vendimi i KQZ-së nuk i nënshtrohet ankesës, përveç nëse nuk parashihet qartë me ligj.

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka nisur me thirrjet për verifikim të aplikuesve që duan të regjistrohen si votues jashtë Kosovës. Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, deri tash janë verifikuar 8 mijë aplikime. Kritikat ndaj këtij procesi ajo i ka cilësuar si dashakeqe.