Surroi: Qeveria në dorëheqje i ka të gjitha kompetencat për t’u marrë me punën e pandemisë

Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, vlerëson se kriza me pandeminë COVID-19 është menaxhuar mirë nga qeveria në Kosovës.

Ai për Rubikon me Adriatik Kelmendin, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë luftë për protagonizëm por vetëm për menaxhimin e krizës me virusin.

“Kriza me koronavirusin ka mundur të jetë tragjike për tërë popullin e Kosovës. Është menaxhuar mirë nga Qeveria, nga institucionet e shëndetësisë publike, nga mjekët nga policët, nga zyrtarët tjerë dhe nga qytetarët me shumicë. Kështu që në këtë moment vëmendja kryesore do të duhet të ishte si të tejkalohet kjo krizë me koronavirusin dhe pastaj të merremi me çështje të tjera politike”, ka thënë Surroi.

Ai ka theksuar se Qeveria Kurti edhe pse në dorëheqje, është plotësisht kompetente në menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Qeveria në dorëheqje i ka të gjitha kompetencat për t’u marrë me punën e pandemisë dhe këtë po e bënë mirë, dhe jo dikasteret e njërës parti, por po e bënë mirë qeveria si tërësi, të gjithë dikasteret, LDK, Vetëvendosje, minoritetet, të gjithë e kanë marrë seriozisht këtë punë”.

“Dallimi midis qeverisë në dorëheqje dhe qeverisë së stabilitetit është që ajo qeveri do të kishte kapacitet për vendime strategjike për shembull për autostrada. Por nuk jemi në kohë kur të vendoset për autostrada, termocentrale. Jemi në kohë kur duhet të izolohemi dhe të ruajmë distancën sociale, si t’i ndihmohet sektorit të shëndetësisë, si të krijohet një mobilizim, një kohezion social, në mënyrë që të dalim sa më lehtë në viktima njerëzish”.

“Kjo qeveri ka treguar që nuk po e projekton veten politikisht, njerëzit që po na tregojnë çfarë po ndodhë me këtë virus nuk janë as presidenti as kryeministri, as ministrat. Kur duhet të dalë dikush, del Ministri Vitia për të shpjeguar një segment, por në masë të madhe jemi duke i dëgjuar mendimet e ekspertëve dhe ky është një plus krahasuar me vendet tjera, ku ka elemente të protagonizmit”.