Sveçla: Lista e përbashkët me LDK-në garancë e fitores, por kushti është që Kurti të jetë kandidat për kryeministër

Në emisionin Interaktiv të KTV-së, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur mbi temat aktuale të politikës në Kosovë.

Xhelal Sveçla ka thënë se edhe kryeparlamentari edhe presidenti janë marrë në pyetje nga Gjykata Speciale dhe se Haradinaj mund të mos dorëhiqej njëjtë siç kanë bërë edhe dy liderët tjerë shtetërorë.

“E ka ditur se s’është qeveri me jetë të gjatë dhe ka dashur të faktorizojë vetveten, e ka dashur të qeverisë si kryeministër në detyrë. S’ka dallim nga kryeministri dhe ai në detyrë. Ka mundur të shkonte sikur siç po flitet, e duket se është e vërtetë, edhe Kadri Veseli është intervistuar në rolin e kryeparlamentarit. Tashmë edhe Thaçi është intervistuar. Veseli në Frankfurt, e Thaçi dy herë në raste të ndryshme. Vendndodhjen nuk e di. Është intervistuar dy herë. E vazhdojnë të jenë në këto pozita”, ka deklaruar ai.

Duke folur për një bashkëpunim të mundshëm të VV-së me ish-deputetët e saj, tash pjesë e PSD-së, Sveçla ka thënë se s’ka kurrfarë arsye që të ketë bashkëpunim mes këtyre partive.

“Tani me LDK-në po synojmë të bëjmë çkapjen e shtetit. Është fakt se ky shtet tash s’është i kapur prej LDK-së, por ‘Zajednica’ tash ka rënë, dhe këto më s’janë tema kyçe. Duhet të ndalim të këqijat, siç janë aventurat e presidentit me Serbinë, të ndalim humbjen e territorit e të ndalim degradimet. Aleati më i përshtatshëm në rrethanat aktuale është LDK-ja. Lista e përbashkët është garancë e fitores absolute, por kushti është që Albin Kurti të jetë kandidat për kryeministër si personi më i votuar në zgjedhjet e fundit”, u shpreh Sveçla në intervistë për Interaktiv të KTV-së. / Koha.net
https://www.koha.net/arberi/175679/svecla-thaci-e-veseli-jane-marre-ne-pyetje-nga-specialja/