Synohet të rregullohet çmimi i barnave

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ që rregullon dhe unifikon çmimin e barnave i cili paraqet veprim të madh përpara në sistemin e shëndetësisë së Kosovës.

Supozohet se në mungesë të këtij dokumenti, shteti ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët kanë shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.

Ministri Ismaili me këtë rast është shprehur se “Pas një pune shumë sfiduese dhe jashtëzakonisht të vështirë, sot, për herë të parë në Kosovë, nënshkrova Udhëzimin Administrativ që rregullon dhe unifikon çmimin e barnave. Ky udhëzim shënon një prej reformave më të mëdha në shëndetësinë kosovare.
Çmime të njëjta në çdo barnatore dhe barna më të lira në tërë Kosovën, për të realizuar një kërkesë 20-vjeçare të qytetarëve dhe farmacistëve.”