Tadiq: Perëndimi po e mbështet paturpësisht Vuçiqin vetëm për ta zgjidhur problemin me Kosovën

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, thotë se faktori ndërkombëtar po e mbështet Vuçiqin pa kufizime sa i përket politikave të brendshme në Serbi, me qëllim që të marrin gjithçka që ai u ka premtuar për finalen me Kosovën.

“Disa shtetarë perëndimorë po sillen me paturpësi duke e mbështetur Vuçiqin në gjithçka, vetëm për t’iu dhënë atyre gjithçka që iu kishte premtuar për temën e Kosovës”, ka thënë Tadiq, shkruan ‘Danas’.

Këto deklarata i ka bërë pas thirrjes së SHBA-së, që opozita në Serbi të mos i bojkotojë zgjedhjet.

Sipas Tadiq nuk ka fare rëndësi nëse opozita merr pjesë në një palë zgjedhje të cilat nuk janë demokratike.

“Çështja më e rëndësishme është demokracia në Serbi, dhe këtu nuk është çështja më e rëndësishme nëse do të marrim pjesë në zgjedhje, veçanërisht kur ato nuk janë demokratike. Ne nuk mund të marrim pjesë në rrëzimin e demokracisë me veprimet tona, por duhet ta ndërtojmë atë”, ka potencuar ish-presidenti serb, kryetar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, Boris Tadiq.