Tahiri: Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Abelard Tahiri, ministër në detyrë i Drejtësisë, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shpjegon se gjatë kohës sa ka qeverisur ai, sektori i drejtësisë ka shënuar progres, por me këtë konstatim nuk u pajtuan, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Çështja e vizave ka marrë fund. Komisioni evropian ka raportuar se Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave”, tha ai në emisionin “Debat”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ministri Tahiri foli edhe për rritjen e pagave, sipas tij, ato janë rritur dukshëm për prokurorët dhe gjyqtarët.

“Partnerët ndërkombëtarë ishin kundër procesit të vetingut. Mënyra si u kërkua të bëhet ai bëri që vetingu t’i ngjajë përndjekjes. Për herë të parë kemi ligjin që ka ndryshuar mënyrën e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe të prokurorëve”, tha ai.

Tahiri tha se ka shtuar numrin e gjyqtarëve për 100 dhe është rritur edhe numri i bashkëpunëtorëve profesionale për rreth 300.

Ministri akuzoi VV-në se bënë “burrin, nënën, motrën aktivistë e pastaj i futë në listën e pagave”. Qytetarët, shtoi ai, për këtë do t’ia japin besimin Kadri Veselit dhe PDK-së.

“Do të rishikohet sistemi i drejtësisë dhe do të aplikohet një verifikim i rregullt për të gjithë dhe atë për periudha të caktuara kohore”, tha ai. /RTK/