Tahiri: Në asnjë vend nuk kërcënohet media për publikimin e informacionit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë se ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.

Tahiri thotë se në asnjë vend nuk kërcënohet media për publikimin e informacionit, raporton Gazeta Express.

“Në vende demokratike, e drejta për t’u infomuar, qëndron mbi çdo të drejtë tjetër. Ajo ështe absolute. Në mungesë të veprimit dhe rezultateve, nuk mund të fshihesh pas sekretit shtetëror. Përpos se kur prapa një sekreti të tillë, synohet të fshihet ndonjë agjendë e dyshimtë dhe kundër interesit të përgjithshëm, atij publik”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai po ashtu tha se ata që dje me hov e nisën me shtetin ligjor, sot po duan ta konfiskojnë transparencën.

“Pfizer dhe transparenca e mohuar, janë ilaçi kundër Covid – 19, dhe kundër deformimeve që po i bëhen demokracisë”, ka shkruar Tahiri.

Dje mediumi “Insajderi” ka publikuar një hulumtim rreth procesit të sigurimit të vaksinave. Siç ka raportuar “Insajderi”, thuhet që ministri Vitia të ketë refuzuar nënshkrimin e një kontrate me kompanitë “Pfizer dhe BioNTech”.

Kjo është demantuar nga vetë ministri mbrëmë, i cili ka bërë thirrje që Prokuroria të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë një proces kaq jetik për qytetarët.