Takimi i Parisit, rast për të rifilluar dialogun

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të përbërë nga zyrtarë të Francës dhe të Gjermanisë, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Në takim i diskutua për Samitin e Parisit, për zhvillimet politike në vendin tonë dhe rreth tij, raportet me fqinjët dhe në mënyrë të veçantë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi zyrtarët e lartë gjermanë dhe francezë për mbështetjen që vendet e tyre i kanë dhënë Kosovës në etapa të ndryshme, si dhe për interesimin e tyre të vazhdueshëm edhe për proceset aktuale dhe ato të cilat e presin vendin tonë në të ardhmen.

Veseli konfirmoi qëndrimin e institucioneve të Kosovës për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila do thotë njohje e pavarësisë Kosovës nga Serbia dhe do t’i hapte rrugë shtetit të Kosovës për anëtarësim në OKB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, si dhe do të normalizonte raportet midis Kosovës dhe Serbisë, si vende të pavarura dhe sovrane.

Në këtë funksion, ai tha se takimi i Parisit paraqet një rast për të rifilluar dialogun, deri në marrëveshjen përfundimtare dhe njohjen reciproke midis dy shteteve.

Kreu i Kuvendit tha se Kosova ndihet e sigurt në çdo proces kur ka në krah miqtë të mëdhenj si SHBA, Gjermania dhe Franca.

Në këtë takim, Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar nga delegacioni i Francës dhe Gjermanisë që vendet e tyre duhet të marrin vendim të shpejtë e të drejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa ka theksuar se Kosova nuk do të pranojë asnjë kusht tjetër pasi i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Gjatë takimit me delegacionin franko-gjerman, Kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur edhe për iniciativën e tij formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se mijëra civilë të pafajshëm janë vrarë e masakruar nga forcat paramilitare të shtetit serb dhe edhe pas 20 vjetësh drejtësia nuk i ka gjykuar kriminelët.

Andaj, siç ka thënë Kreu i Kuvendit, Tribunali është i pashmangshëm dhe do të ndodhë, ndërsa ka theksuar se drejtësia vetëm sa i kontribuon paqes së qëndrueshme mes dy popujve dhe Ballkanit Perëndimor.