Takimi i Vishegradit nën hijen e debateve për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten, se nuk mori pjesë në takimin e Vishegradit që i zhvilloi punimet në kryeqytetin e Republikës Çeke, për shkak të angazhimeve rreth zgjedhjeve në Kosovë.

Takimi i vendeve të Vishegradit ku bëjnë pjesë Çekia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin e Evropës juglindore dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Vendimi i zotit Haradinaj për të mos marrë pjesë në këtë takim u publikua një ditë pasi që presidenti çek, Milosh Zeman, tha në Beograd se do të diskutojë me zyrtarët e lartë të vendit të tij për mundësinë e tërheqjes së njohjes së Kosovës, të cilën Çekia e ka njohur në maj të vitit 2008.

Por, zoti Haradinaj në një postim në rrjetet sociale as që e përmendi këtë çështje si arsye për mospjesëmarrje.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 (grupi i Vishegradit) dhe WB6 (vendet e Ballkanit Perëndimor), nën kryesimin e Republikës së Çekisë. Përmes kësaj letre i kam shprehur falënderimet e sinqerta Kryeministrit të Republikës së Çekisë, z. Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribuues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, shkroi ai.

Deklaratat e presidentit çek nxitën shumë reagime në Çeki, ku zyrtarë të qeverisë dhe senatit thanë se ideja e tij është joreale.

Të enjten kryeministri çek, Andrej Babish tha se “nuk sheh asnjë arsye që qeveria çeke të ndryshojë qëndrimin e saj” ndaj Kosovës.

Ministria çeke e punëve të Jashtme në një komunikatë të lëshuar të premten pasdite rikujtoi qe qeveria e Republikës çeke më 21 maj të vitit 2008, njohu Republikën e Kosovës dhe ra dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Ishte njohje de jure, pra njohje e plotë dhe përfundimtare e shtetit në kushtet e së drejtës ndërkombëtare. Republika Çeke gjithashtu, nuk ka anuluar kurrë njohjen e ndonjë shteti në praktikën e saj”.

Në komunikatë thuhet mes tjerash se Republika e Kosovës njihet si shtet nga afro 100 vene anëtare të OKB-së dhe është pranuar si anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore. Më tej numërohen edhe marrëveshjet dypalëshe të arritura që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Republika Çeke ka interes të qartë për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë detyrimet që rrjedhin prej tyre për të dyja palët”, thuhet në komunikatë.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cilësoi joreale mundësinë që Çekia të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Të enjten ambasadori amerikan në Çeki, Stephen B. King, takoi në Pragë të ngarkuarin me punë në ambasadën e Kosovës, Arbër Vllahiu, sic shkroi ai në rrjetet sociale “për të ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për një Republikë sovrane e të pavarur të Kosovës, të integruar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare”.

Në takimin e sotëm të grupit të Vishegradit, kryeministrat e vendeve anëtare të grupit miratuan një deklaratë në mbështetjen të zgjerimit të Bashkimit Evropian duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri çek tha se politika e zgjerimit është “instrumenti më efektiv për nxitjen e qëndrueshmërisë, sigurisë, demokracisë dhe përparimit në Ballkanin Perëndimor. Siguria në Ballkan gjithashtu nënkupton sigurinë në Evropë”, tha ai.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Tashmë Mali i Zi dhe Serbia i kanë të hapura negociatat, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia presin që kjo të ndodhë muajin e ardhshëm.

Rruga evropiane e Kosovës që shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre. Por procesi i bisedimeve është pezulluar që nga viti i kaluar kur Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së saj. / Lajmi.net