Të burgosurit prodhojnë letër higjienike për nevoja të institucioneve korrektuese

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se ka pranuar donacion nga UNOPS-i, makina për prodhimin e letrës higjienike dhe letrës së kuzhinës.

Ky donacion i dedikohet aktiviteteve të punës së organizuar nëpër burgje.

“Përmes këtij donacioni, në Burgun e Sigurisë së Lartë do të angazhohen në punë rreth dhjetë të burgosur, e që gradualisht synohet edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese, me çka do të rritet edhe numri i të punësuarve”, thuhet në njoftimin për media të këtij shërbimi.

Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se përmes këtij projekti, përveçse synon rehabilitimin edhe risocializimin e personave të burgosur, synon në uljen e shpenzimeve ekonomike në letër higjienike për 50%, si dhe në rritjen e nivelit të higjienës dhe pastërtisë nëpër të gjitha institucionet korrektuese.

“Përveç kësaj, me angazhimin e të burgosurve në pune të tilla, normalizohet edhe jeta e përditshme në burgje. Produktet e prodhuara nga të burgosurit e BSL-së, do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese, e në të ardhmen të plasohen edhe në tregun vendor. Shërbimi Korrektues i Kosovë çdoherë mbetet i përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me donatorët për projekte të tilla edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim. / Koha.net