Të drejtë vote 117 mijë serbë, gjysma në veri të Kosovës

Dushan Radakoviq, nga Demokracia në Veprim, ka thënë se në veri të Kosovës do të hapen 86 vendvotime, 27 në veri të Mitrovicës, 15 në Zubin Potok, 13 në Zveçan dhe 31 në Leposaviq.

Rreth 117 mijë votues serbë në Kosovë, të cilët kanë të drejtën e votës më 6 tetor, kanë marrë urdhër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të votojnë për kandidatët e Listës Serbe.

Ai u ka thënë medieve në Beograd se nëse nuk fiton Lista Serbe, atëherë do të hiqen pagat në shkolla e spitale.

“Mesazhi im është, njerëz serbë, dilni në zgjedhje, dilni në numër sa më të madh, sepse votojmë për qëndrimin dhe për mbetjen tonë në Kosovë, votojmë për qëndresën tonë në vatrat tona, votojmë për pagat serbe në shkolla e spitale, sepse ato do të na i heqin nëse ndodh që të mos kemi të drejtë vote, nëse nuk dëgjohet zëri i Listës Serbe dhe ‘Serbia thërret’, ndërsa unë u lutem njerëzve që të tregojnë përgjegjësi dhe seriozitet. U bëj apel serbëve në Kosovës, refugjatëve, njerëzve që janë dëbuar nga vatrat e tyre, që ta shfrytëzojnë të drejtën e ta votojnë për Listën Serbe”, ka porositur serbët presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Zëri/