Të gjithë kundër vendimit të ri “antikushtetues” të Qeverisë

Vendimi i ri i Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve po cilësohet antikushtetues.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë, se nga 15 prilli, në Kosovë,  do të ketë masa rigoroze kundër pandemisë së koronavirusit.

Vitia përmes një konference për media ka bërë të ditur se lëvizja e qytetarëve brenda ditës do të jetë vetëm 1 orë e gjysmë e ndarë në tetë kategori.

Një vendim të tillë njohësit e kushtetutës e kanë quajtur antikushtetues.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë në emisionin Pressing se qeveria e Kosovës ka shkelur përsëri kushtetuën e vendit.

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i sonte është në kundërshtim të plotë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e saj.

“Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, tha Hasani.

“Kjo mënyrë që u tha është tërësisht kundër kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse është gjendje e jashtëzakonshme efektivisht dhe është derogim nga liritë dhe të drejtat kushtetuese sipas nenit 56. Derogim, nuk është kufizim, ky është derogim i lirive dhe të drejtave kushtetuese sipas nenit 56. Është uzurpim i pushtetit, tërësisht në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Hasani.

Avokati Dastid Pallaska thotë se Ministria e Shëndetësisë me vendimin për masat e reja kufizuese për qytetarët e ka shpërfill aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, është kufizuar edhe më shumë liria e lëvizjes e cila mund të bëhet vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Në fund, por jo për nga rëndësia, vendimi për masat e reja kufizuese paraqet shpërfillje të pashembullt të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pasi që liria e lëvizjes sërish është kufizuar në nivel vendi – madje në shkallë edhe më të lartë – me një vendim të vetëm dhe atë pa plotësim/ndryshim të bazës ligjore e cila nga Gjykata Kushtetuese është vlerësuar si e pamjaftueshme për kufizime të tilla të lirisë së lëvizjes.

Partia Demokratike e Kosovës është e alarmuar nga vendimi i fundit i Qeverisë së shkarkuar Kurti, që ka zgjedhur mos ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërmarrë një vendim që bën të njëjtën shkelje, për të cilën është shprehur kjo gjykatë.

“Kjo është një sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë, që tregon se kjo Qeveri po përpiqet të nxjerrë nga funksioni Kuvendin e Kosovës dhe t’i përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj. Vendimi i saponxjerrë nga Qeveria e shkarkuar, përbën një cënim të rëndë të rendit Kushtetutës të Kosovës, prandaj Partia Demokratike e Kosovës e dënon rëndë dhe i bën thirrje institucioneve të tjera të shtetit dhe mbarë opinionit publik që të angazhohen për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të penguar autoritarizmin në Kosovë”, thuhej në reagimin e PDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për masat e reja rigoroze në lidhje me pandeminë COVID-19.

“Qeveria me masa e me forcë, merr pushtet që nuk i takon! Puç, tjetër emër a ka?!”, shkruan Abrashi në Facebook.

Ndaj masave të reja të Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes, ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka konsideruar se është cenuar rëndë rendi kushtetues.

Sipas Haradinaj, me këtë vendim anti-kushtetues që nuk e pëfill vendimin e fundit të Gjykatë Kushtetuese, qeveria e ka uzurpuar pushtetin dhe ma shkelur të drejtat e njeriut.

“Me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, në emër të parandalimit të Covid-19 dhe menaxhimit të gjendjes në vend, rendi kushtetues është cënuar rëndë. Qeveria e Kosovës, me këtë vendim anti-kushtetues, ka uzurpuar pushtetin. Duke e injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria ka cënuar rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut. Veprimet anti-kushtetuese, me gjithë gjendjen e krijuar nga pandemia, nuk mund të tolerohen. Kosova është Republikë parlamentare dhe kushtetuese dhe çdo ndërhyrje ose uzurpim pushteti është i dënueshëm”, ishte reagimi i ish-kryeministrit.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë se qeverisë së shkarkuar i ka dalë jashtë kontrollit gjendja me pandeminë COVID-19.

“Qeverisë së shkarkuar i ka dalë jashtë kontrollit gjendja me pandeminë COVID 19, ndërsa tashmë qeveria e shkarkuar ka dal totalisht jashtë kontrollit të kushtetutës!”, shkruan Shala në Facebook.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka komentuar masat e reja kufizuese që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Për momentin jam i brengosur për këtë orar të komplikuar të cilën duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti.

Kujtojmë se Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë së shkarkuar, i datës 23 mars 2020, përbënte një shkelje të lirive themelore, duke sqaruar se ligjet e posaçme për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, kurrsesi nuk i japin të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese në gjithë vendin. /Lajmi.net/