Telekomi ua zbrit rrogat punëtorëve, por jo menaxhmentit

Bordi i Telekomit të Kosovës ka nxjerr një vendim të ri i cili parasheh zvogëlimin e pagave për punonjësit e kësaj ndërmarrjeje publike.

Por, vendimi i Bordit nuk do të prekë edhe pagat e larta të drejtorëve në Telekomin e Kosovës.

Njoftimin është bërë përmes një mesazhi elektronik ndërsa vendimi është paralajmëruar se hynë në fuqi nga data 1 janar 2020.

Sipas njoftimit të cilin e kanë pranuar punëtorët e Telekomit të Kosovës, “TK është duke u përballuar me probleme teknike dhe ka shkurtuar të gjitha shpenzimet tjera operative me qellim  të përmirësimit të shërbimeve për konsumatorë”.

Zvogëlimi i pagave, gjithnjë sipas njoftimit, do të jetë për 10 për qind.

“Kontratat e punës dhe gradat mbesin të njëjta por koeficienti i secilës gradë  për të gjithë punëtorët pa dallim zbritet për 10 % përjashtuar pozitat e larta të parapara me Ligjin për Ndërmarrje Publike ku zbritja e koeficientit aktual është për 20 % , duke filluar nga data 01.01.2020”, thuhet në njoftimin e Telekomit..

Për këtë zhvillim brenda të Telekomit të Kosovës nuk është njoftuar Sindikata e Punëtoreve.

“Në e- mail na ka ardh një njoftim por nuk janë konsultuar me neve. E- maili na ka ardhur pak para orës 16:00 sot, na kanë thanë që për shkak të gjendjes së Telekomit, Bordi ka marr vendim për uljen e pagave. Unë mendoj që është një vendim i ngutshëm sepse nuk janë konsultuar  me ne”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj.

Ai ka thënë se të hënën do të njoftojnë për hapat që do të ndërmarrin si sindikatë në lidhje me njoftimin e Telekomit të Kosovës.

“Të hënën në ora 10:00 e kemi një takim me Bordin e Telekomit dhe menjëherë pas takimit do të iu njoftojmë për hapat që do të ndërmarrim”, tha tutje Balaj.

Ai ka thënë se nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme gjendja financiare në Telekom, pasi që, sipas tij, një gjendje jo stabile ekziston që një kohë të gjatë. / Kallxo.com

Tags: , ,