”Tentativa e Listës Serbe për fuqi vendimmarrëse në Kuvend, precedent i rrezikshëm dhe i papranueshëm”

Ditë më parë pati akuza në drejtim të kandidates për deputete Adrijana Hoxhiq nga lista “Komuniteti i Bashkuar”, se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit ka bashkëpunuar me Listën Serbe që të votohet nga komuniteti serb në Kosovë, në mënyrë që Lista Serbe të ketë fuqi vendimmarrëse në Kuvendin e Kosovës.

Në lidhje me këtë në një intervistë për Telegrafin ka folur Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila tha se tentativa e Listës Serbe është vërejtur para zgjedhjeve mirëpo nuk i është dhënë fokus i veçantë, pasi siç tha ajo fokusi ka qenë tek kandidatët shqiptarë.

“Në fakt ne para zgjedhjeve pamë tentativa të tilla, që Lista Serbe është duke u angazhuar që përveç 10 vendeve të rezervuara të komunitetit serbë të shtrijë ndikimin e saj dhe me 10 ulëset e tjera të garantuara për komunitetet jo shumicë. Pra, kishte raportime por nuk kishte shumë fokus, pasi fokusi ishte tek zgjedhjet në përgjithësi, se sa do merrnin partitë shqiptare gjatë këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, bashkëpunimi i Listës Serbe me komunitetet jo shumicë në vend nuk është për herë të parë, pasi siç tha ajo edhe ish-deputeti nga komuniteti goran, Adem hoxha ka pasur një bashkëpunim të tillë.

“Edhe në të kaluarën anëtari nga radhët e komunitetit goran, Adem Hoxha kishte bashkëpunuar me Listën Serbe. Kishte raste, si edhe në rastin e  Hoxhiq që u votua edhe nga komuniteti serb”, u shpreh ajo.

E sa ndikon tek komunitetet tentativa e Listës Serbe, Krasniqi tha: “Ndikon negativisht…Është një precedent i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Jemi në prag të një realiteti. Kjo duhet të shihet dhe në aspektin ligjor dhe kushtetues… Secili kandidat, siç ishte rasti i Adrijana Hoxhiq nuk ka një provizion të tillë kushtetues i cili thotë se ajo nuk mund të votohet nga komuniteti serb apo ndonjë komunitet shqiptarë. Por lind pyetja a mundet ajo të marr vendin e deputetit në kuadër të 10 vendeve të garantuara për komunitete, apo duhet të futet tek partitë tjera për të kaluar pragun e pesë përqindëshit zgjedhor? “. /Telegrafi/