Tentohet të dhunohet i mituri në Prizren

Sot rreth orës 13:00 në Prizren, nën Urën e Gurit është tentuar të dhunohet seksualisht një i mitur.

Sipas dëshmitarëve, rasti fillimisht ishte parë nga një familje nga Prishtina, të cilët ishin duke qëndruar pranë lokaleve pranë lumëbardhit. Me të parë rastin, një zonjë nga kjo familje reagon në mënyrë ashpër dhe kështu veprimi i turpshëm ndërpritet.

Kalimtarët e rastit e largojnë të miturin nga vendi, ndërsa i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, edhe pse ishte munduar të ndalej nga një qytetar.

Dëshmitarët tregojnë se i dyshuari ishte rreth 40 vjeçar dhe i çalonte këmba e majtë, ndërsa viktima ishte njëmbëdhjetë vjeçar dhe i përkiste komunitetit rom.

Rasti është raportuar në polici, dëshmitarët okular kanë dhënë deklaratat e tyre dhe i mituri është përcjellë në Polici për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërsa, i kontaktuar nga lajme365, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj, tha vetëm se janë hapur hetime në lidhur me rastin, pa dhënë detaje tjera.

Dëshmitar i gjithë ngjarjes ka qenë edhe Ilir Gashi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit.

Gashi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale, ka konfirmuar rastin.

“Sot në mesditë, në zemër të Prizrenit – nën Urën e Gurit, një person ka tentuar ta dhunoj apo ta shfrytëzoj seksualisht një të mitur 11 vjeçar të komunitetit RAE. I dyshuari i ka ikur nga duart e shokut tim i cili më priste te Ura. Pasi që edhe viktima i mitur synonte të ikte nga vendi i ngjarjes, së bashku me shokun tim siguruam që viktima të mos largohet deri sa erdhi patrolla policore”, ka shkruar Gashi.

Ndryshe, javë më parë, një fëmijë i komunitetit rom ka vdekur në Fushë Kosovë si pasojë e dhunës seksuale të ushtruar ndaj tij.