Tërhiqet libri i Gjeografisë me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se teksti shkollor nga lënda e Gjeografisë për vitin e dytë -arsim mesëm është tërhequr nga përdorimi. Nga MASH njoftojnë se ministrja Milla Carovska sot ka nënshkruar vendimin e Komisionit me të cilin kërkohet tërheqja e tekstit shkollor.

“Komisioni konstaton se teksti shkollor është i stërngarkuar me të dhëna tjera statistikore dhe fakte që nuk korrespondojnë në përputhje me qasjen didaktiko-metodologjike për moshën e fëmijëve. Gjithashtu, në disa përmbajtje mësimore në tekstin shkollor, janë shkelur parimet e paprekshmërisë së kulturës, historisë dhe vlerave të tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Tekstet për Arsim Fillor dhe të Mesëm”, thonë nga MASH.

Teksti shkollor është miratuar sipas programit mësimorë nga viti 2002. Alsat shumë herë ka raportuar për gabime të shumta si përmbajtjesorë ashtu edhe fyese në disa tekste shkollore në arsimin fillor, siç janë gjeografia, historia dhe shoqëria. Në librin e gjeografisë për vitin e dytë shkollë të mesme thuhet se shqiptarët kanë qenë maqedonas dhe se me pranimin e fesë islame janë shqiptarizuar./alsat.